Bujar Loci e ka fituar besimin e Federatës së Basketbollit të Kosovës për ta drejtuar përfaqësuesen për kohë më të gjatë.
Tekniku pejan ishte zgjedhur selektor i Kosovës më 19 nëntor, por vetëm për ndeshjen ndaj Shqipërisë.
Kosova e fitoi bindshëm atë ndeshje, që ishte e para e raundit të parë të parakualifikimeve për Eurobasket 2029.
Dhe Federata e Basketbollit e Kosovës ka njoftuar të mërkurën që Bujar Loci do të jetë përzgjedhës edhe në ndeshjet e tjera të këtij cikli kualifikues.
Vendimi është i Bordit të FHK-së.
“Bordi emëron Bujar Locin përzgjedhës të përfaqësueses A të Kosovës për ciklin e parakualifikimeve për FIBA Eurobasket 2029”, shkruan në njoftimin e FBK-së.
Loci ka një jetë në basketboll. Pas karrierës së suksesshme si lojtar, ai ka punuar gjatë në klube të ndryshme. Ishte kryesisht te Peja, herë si kryetrajner e herë si ndihmës. Ka drejtuar edhe Sigal Prishtinën e Rahovecin, ndërsa këtë vit e udhëhoqi Rahovecin 029 drejt promovimit të parë në Superligë. Vazhdon të jetë trajner i kësaj skuadre.
Javën e kaluar ai u shpall trajneri më i mirë i vitit 2025 në Kosovë. Gjatë karrierës ka fituar trofe të shumtë.
Te përfaqësuesja e Kosovës është për kohë shumë të gjatë po ashtu. Në vitin 2005 ishte përzgjedhës e më pas pjesë e shtabit teknik.
Më 30 nëntor, Kosova fitoi 99:84 ndaj Shqipërisë në Shkodër. Më 27 shkurt është ndeshja mes Kosovës dhe Sllovakisë. Më 2 korrik të vitit të ardhshëm është ndeshja Kosovë – Shqipëri, ndërsa më 5 korrik ajo Sllovaki – Kosovë.
Nëse ka sukses, Kosova do të kalojë në raundin e dytë të parakualifikimeve. Nëse jo, zhvendoset në raundin e tretë parakualifikues.
Kosova ka kohë që nuk ka pasur kampanjë të suksesshme kualifikuese, ndonëse ndërroi shumë trajnerë të huaj dhe disa prej tyre i pagoi goxha shumë. Suksesin e fundit e kishte arritur me amerikanin Brad Greenberg. Në vitin 2017, Kosova kishte kaluar nga parakualifikimet në kualifikimet e rregullta për Kupën e Botës 2019. Kishte përfunduar e dyta në grup me dy fitore e dy humbje.
Bordi i FBK-së mori edhe vendime të tjera në mbledhjen e fundit. Ndër të tjera ia vazhdoi mandatin sekretares së përgjithshme, Elvira Dushkut. Dushku vlerësohet për punën që e ka bërë deri më tani.