Selektori i Anglisë, Thomas Tuchel, ka thënë se ylli i Real Madridit, Jude Bellingham, dhe ai i Manchester Cityt, Phil Foden ishin të “jashtëzakonshëm” për skuadrat e tyre së fundi. Tucheli i ka ftuar këta dy lojtarë për ndeshjet kualifikuese ndaj Serbisë dhe Shqipërisë.
Trajneri gjerman ka shtuar se mesfushori i Bournemouthit, Alex Scott, e meriton ftesën e parë. Anglia tashmë e ka siguruar Botërorin, por ndeshjet janë vendimtare si për Serbinë ashtu edhe për Shqipërinë.
“Ata luajnë rregullisht dhe kanë rol të madh në sukseset e Real Madridit dhe Manchester Cityt”, ka thënë Tuchel për Bellinghamin dhe Fodenin.
“Ata kanë shënuar rregullisht gola vendimtarë. Ne jemi të lumtur që janë në formë dhe janë kthyer me ne”.
Tucheli u ka rezistuar thirrjeve për ta ftuar sulmuesin e Brightonit, Danny Welbeck. Jack Grealish dhe Trent Alexander-Arnold mungojnë.
Bashkëlojtari i Alexander-Arnoldit te Real Madridi, Bellingham, u la jashtë grumbullimit të tetorit, pasi vetëm sa ishte kthyer nga një lëndim. Fodeni nuk u përfshi në tri grumbullimet e kaluara. Së fundi kishte luajtur në mars.
Anglia e pret Serbinë më 13 nëntor, ndërsa tri ditë më pas e luan ndeshjen e fundit ndaj Shqipërisë. Ndeshja në Tiranë do të jetë e fundit garuese për anglezët para Kupës së Botës 2026.
22-vjeçari Alex Scott ishte pjesë e Anglisë U21 që fitoi Evropianin në verë. Ai ka luajtur në të gjitha dhjetë ndeshjet e Bournemouthit në Premier League, duke shënuar një gol dhe duke e ndihmuar skuadrën të renditet e pesta.
“Alexi e meriton të jetë me ne”, ka thënë Tuchel. “E kam parë së pari nga afër në Euro U21. Ai luajti shkëlqyeshëm së bashku me Elliot Andersonin në mesin e fushës. Ka pasur ndikim të madh në kampanjën që përfundoi me titull”.
Portieri i Newcastle Unitedit, Nick Pope, mbrojtësi i Manchester Cityt, Nico O’Reilly dhe mesfushori i Crystal Palace, Adam Wharton janë lojtarët tjerë të kthyer tek Anglia.
Ndërkohë vendin e kanë humbur lojtarë si Morgan Gibbs-White, Myles Lewis-Skelly, Ruben Loftus-Cheek, James Trafford dhe Ollie Watkins.
Tuchel mori drejtimin e Anglisë në janar të këtij viti, ndërsa ka kontratë të vlefshme për 18 muaj. Ai ka thënë se gjasat janë të mira që ta mbajë postin e selektorit edhe pas Botërorit 2026.
“Jam shumë i kënaqur se si po shkojnë gjërat dhe mendoj se edhe federata është shumë e lumtur”, ka theksuar Tuchel.