Harry Kane, Jude Bellingham dhe Phil Foden nuk mund të luajnë së bashku tek Anglia. Kështu ka thënë të mërkurën në konferencën për shtyp, selektori gjerman i Anglisë, Thomas Tuchel.
Tucheli ka konfirmuar se është duke u përgatitur që lojtarët me emër t’i lë jashtë formacionit titullar, nëse ata nuk i përshtaten sistemit që e përdor.
Anglia tashmë e kualifikuar në Botërorin 2026 në Kanada, Meksikë dhe SHBA, përballet me Serbinë dhe Shqipërinë këtë javë.
Ndaj Serbisë luan të enjten nga ora 20:45, kurse ndaj Shqipërisë të dielën nga ora 18:00.
Ndeshjet i takojnë Grupit K, ku Anglia ka 18 pikë nga gjashtë ndeshje.
“Për momentin, nëse e ruajmë këtë strukturë, ata nuk mund të luajnë së bashku", ka thënë Tuchel për Kanen, Bellinghamin dhe Fodenin.
“Ata mund të luajnë, por jo në këtë strukturë, jo për balancimin e ekipit që e kemi zhvilluar. Jo për strukturën me futbollistët e krahut, që janë specialistë në pozitat e tyre. Për momentin, ne luajmë me lojtar të numrit 6, numrit 8, numrit 10 dhe numrit 9. Ka shumë lojtarë dhe nuk kemi shans që t’i inkuadrojmë të gjithë. Jo për arsye që nuk na pëlqejnë, jo për arsye se ata nuk e meritojnë individualisht, por për shkak se ne gjithmonë do ta bëjmë më të mirën për ekipin”, është shprehur Tuchel.
Bellinghami nuk ka luajtur për Anglinë që prej muajit qershor, ndërsa Fodeni nuk është përzgjedhur prej muajit mars. Ata iu bashkuan Përfaqësueses së Anglisë këtë javë.
Anglia i ka fituar të katër ndeshjet e fundit pa këtë dyshe, duke shënuar 15 gola e duke mos e pranuar asnjë.