Anglia kërkon tjetër shpërblim me një tjetër paraqitje me qëndrueshmëri të lartë në Kupën e Botës. Në gjysmëfinalen Anglia luan ndaj Argjentinës, rivales së vjetër.
Anglia e Argjentina luajnë më 15 korrik në Atlanta, nga ora 21:00.
Kjo përballje është e mbushur me histori, ndërsa i ofron ekipit të udhëhequr nga Thomas Tuchel mundësi të lëvizë drejt finales së parë pas 60 vjetëve.
Një ditë pasi e mposhti 2:1 Norvegjinë pas vazhdimeve, Anglia ka nisur të mendojë për ndeshjen ndaj kampiones në fuqi të botës.
Anglia ka arritur në gjysmëfinale të Kupës së Botës për herë të dytë në tre turnetë e fundit. Në vitin 2018 ishte mposhtur nga Kroacia në kohën shtesë në Botërorin e organizuar në Rusi.
Edhe
Çfarë kërkese ka paraqitur Argjentina në FIFA?
Kupa e Botës 1966, ishte hera e parë dhe e vetme kur Anglia u paraqit në finale dhe e fitoi trofeun më të çmuar.
Ekipi i Tuchelit u mbështet në kualitet dhe vendosmëri dy herë në fazën nokaut, pasi e pa veten në disavantazh. U kthye në lojë dhe mbajti shpresën gjallë. Përzgjedhësi gjerman, Tuchel, sheh shumë gjëra pozitive në këtë aspekt.
“Ekipi refuzon të dorëzohet. Lojtarët refuzojnë ta pranojnë humbjen”, ka thënë Tuchel. “Lojtarët i kalojnë sfidat dhe ecin para. Nuk ka as 1 për qind ankesa”.
Tucheli ka thënë se tek Anglia ka vend për përmirësim.
“T’i kapërcesh vështirësitë dhe të gjesh rrugë për të fituar është mënyra e vetme për të pasur sukses”, ka thënë ai. “Ne kemi gjetur një mënyrë dhe jemi në katërshen më të mirë, që është gjëja më e rëndësishme. Por, mendoj se ne mundemi dhe duhet të luajmë futboll më të mirë”.
Avancimi i Anglisë është mbështetur shumë në dyshen Harry Kane dhe Jude Bellingham. Kjo dyshe i ka shënuar nga gjashtë gola, nga 13 sa i ka realizuar në total Anglia. Është dyshja e parë e një përfaqësueseje që shënon kaq shumë gola në një Kupë të Botës.
Bellingham shkon në Atalanta në formë fantastike, pas katër golave në dy ndeshjet e fundit.
“Paraqitje e klasës botërore nga një lojtar i klasës botërore, në momente shumë, shumë të mëdha”, ka thënë Tuchel. “Absolutisht, i jashtëzakonshëm”.
Sulmuesi i Anglisë, Noni Madueke, ka theksuar se këto paraqitje janë kthyer në rutinë për futbollistin e Real Madridit.
“Është e pabesueshme çfarë është duke bërë ai”, ka thënë Madueke. “Është shumë normale për të”.
Edhe
Gjysmëfinalet me yje të mëdha dhe rivalë të vjetër
Skuadra u shty deri në limit nga Norvegjia, me lojtarët që kanë vuajtur nga stërngërçimet e muskujve dhe temperaturat e larta.
Tucheli bëri të ditur se mesfushori Declan Rice, i cili nuk luajti në pjesën e dytë të shtunën, i ka kaluar tre ditët e fundit i shtrirë në krevat, i sëmurë.
Madueke ka thënë se vetëm rezultatet kanë rëndësi.
“Nëse luajmë kështu dhe i fitojmë dy ndeshjet e ardhshme, nuk më intereson. Nuk mërzitem”, ka thënë ai.
Historia ofron prova të mjaftueshme për sfidën gjysmëfinale. Dy përfaqësueset janë takuar pesë herë në të kaluarën në Botërorë. Anglia e mposhti Argjentinën në vitin 1962 dhe 1966, para se goli i famshëm i Diego Maradonës “Dora e Zotit” dhe solo-aksioni i tij, t’ia siguronte Argjentinës fitoren në vitin 1986.
Argjentina kishte avancuar në 1/8 e finales së Kupës së Botës 1998 – por ndeshja kujtohet me golin e jashtëzakonshëm të Michael Owenit dhe kartonin e kuq të David Beckhamit. Beckham u revanshua duke e shënuar golin e fitores 1:0 të Anglisë në fazën grupore të vitit 2002 në Japoni.
Fitorja e fundit e Anglisë në gjysmëfinale të një turneu madhor ishte 2:1 ndaj Holandës në “Euro 2024”.
Tani do të ballafaqohet me testin e vështirë ndaj kampiones së botës të udhëhequr nga Lionel Scaloni.
Tucheli e ka pranuar se kërkesat emocionale të turneve të futbollit janë krejt diçka tjetër nga ato që i ka përjetuar si trajner në nivel klubesh, por ka thënë se nuk do të donte t’i ishte diku tjetër aktualisht.
Edhe
Messi mezi e pret ndeshjen e parë ndaj Anglisë
“Ndihem shumë i gjallë në këto momente”, ka thënë ai. “Ky është vendi ku dua të jem. Nuk dua të jem diku tjetër në botë”.
Anglia, e udhëhequr nga shkëlqimi i kapitenit Kane dhe Bellinghamit, është duke besuar se mund t’i shpëtojë çdo gjëje, dhe shpreson që ta vazhdojë garën edhe për një tjetër ndeshje.