Portugezi Ruben Amorim ka zbuluar se dëshiron ta drejtojë Manchester Unitedin për plot 20 vjet.
Tekniku 40-vjeçar po bëhet gati për ta nisur edicionin e parë si trajner i gjigantit anglez të futbollit. Ai e mori drejtimin e Manchester Unitedit në gjysmë të edicionit të kaluar. “Djajtë e kuq” përfunduan në vendin e 15-të në Premier League, ndërsa u mposhtën në finale të Ligës së Evropës.
Paraqitjet në fazën përgatitore e kanë mbushur me shpresë Amorimin se “Unitedi është skuadër krejt tjetër tani, në krahasim me edicionin e kaluar”.
Dhe portugezi tani shpreson të bëjë diçka që bëri i papërsëritshmi Alex Ferguson.
“Po, dëshiroj të qëndroj. Dua të qëndroj 20 vjet. Ky është synimi im dhe besoj vërtet në këtë. Gjithnjë kam besuar. Diçka do të ndodhë. Në disa momente do të jem me fat. Kam pasur shumë fat gjatë karrierës sime si trajner dhe ideja ime është të qëndroj për shumë vjet”, ka thënë Amorim në një intervistë për BBC-në.
Ndonëse erdhi me shumë bujë, Amorimi nuk e kishte ndikimin e pritur tek Unitedi në muajt e parë. Por Manchesteri ka vazhduar të bëjë ndryshime në përbërjen e lojtarëve.
Amorimi e di se çdo gjë varet nga rezultatet.
“Ne e dimë që rezultatet e diktojnë këtë. E di që në edicionin e kaluar i kam shpenzuar të gjitha kreditë. Por jam i gatshëm për të filluar i freskët. Dua të jem trajner i Manchester Unitedit për një kohë. Më janë dashur pesë vjet për ta zgjedhur këtë klub, kështu që nuk dua të dështoj”, ka theksuar Amorimi.
I pyetur për shanset që të jetë i suksesshëm në United, portugezi është përgjigjur: “Nëse shikoni, Sportingu ishte e njëjta gjë. Thanë që për tre muaj jam jashtë. Kanë thënë që kam tre për qind shanse për të fituar trofe me Sportingun. Ishte e njëjta gjë”.
Amorimi ka thënë se dëshpërimi më i madh i edicionit të kaluar kishte të bënte me zhvillimin e ndeshjeve për të cilat e dinte se ekipi i tij nuk mund të jetë garues. 14 prej 27 ndeshjeve të tij në Premier League përfunduan me humbje. Ai, po ashtu humbi pesë prej shtatë ndeshjeve të para në “Old Trafford”.
“Nuk kishte të bënte me atë se si kthehesha në shtëpi nga humbjet, por se si dilja nga shtëpia për të shkuar në ndeshje. Të gjitha vuajtjet që i kemi pasur gjatë ndeshjeve, i kam ndier para tyre. Kjo është pjesa e vështirë. Të shkosh në ndeshje dhe ta dish se nuk do të jesh garues. Kur jam kthyer vetëm e kam shikuar familjen time dhe jam munduar të mendoj për gjëra të tjera. Por isha shumë i frustruar”, ka thënë Amorimi.
Unitedi tashmë e ka lejuar Marcus Rashfordin të largohet në drejtim të Barcelonës. E ardhmja e Antonyt, Alejandro Garnachos, Tyrell Malacias dhe Jadon Sanchos është ende e paqartë. Këta lojtarë nuk janë grumbulluar për turneun e ndeshjeve miqësore. Të gjithë janë lënë më të lirë që të gjejnë klube të reja.
“Ne vetëm duhet ta përcjellim tregun”, ka thënë Amorimi për këta katër lojtarë. “Tregu është i hapur. Ka lojtarë që qartë kanë treguar se nuk duan të jenë këtu dhe kjo është normale. Nuk do të thotë që ata e kanë keq dhe unë e kam mirë. Apo që unë e kam keq e ata e kanë mirë. Është situatë e thjeshtë që dëshiron sfidë të re. Kështu që do të mundohemi ta shfrytëzojmë këtë hapësirë për ta përgatitur ekipin që do të jetë tash e tutje. Nëse tregun mbyllet dhe ata mbesin lojtarë të Manchester Unitedit, ne si klub duhet t’i trajtojmë ata në kushte të njëjta. Në këtë moment punoj vetëm me lojtarët që mendoj se do të jenë në skuadër. Të tjerët po mundohen të gjejnë zgjedhje për karrierën e tyre”, ka theksuar Amorimi.
Manchester Unitedi e pret Arsenalin në hapje të edicionit të ri në kampionatin anglez. Ndeshja në “Old Trafford” do të zhvillohet më 17 gusht.