(BBC) – Imazhi që përshkruan periudhën 14-mujore të Ruben Amorimit te Manchester Unitedit mund të jetë ai në stolin e Grimsbyt.
Ndodhi gjatë një udhëtimi të Manchester Unitedit në bregdet, në gushtin e kaluar, për një ndeshje të “Carabao Cup”. Ndeshja shkoi tmerrësisht keq për Unitedin. Skuadra e madhe humbi 12:11 në penallti. Ishte hera e parë që Manchester Unitedi u mposht nga një ekip i nivelit të katërt.
Komentet e Amorimit pas ndeshjes ngjanin me dikë që ishte gati të pranonte se puna ishte shumë e vështirë për të. Por u tërhoq disa ditë më pas, kur tha se emocionet shpesh e mposhtin dhe e kishin shtyrë të thoshte gjëra të pamatura në publik.
Megjithatë ai nuk u ndal. Të paktën jo edhe për një kohë.
Ndeshja e fundit e Amorimit në krye të Unitedit ishte barazimi 1:1 me Leedsin. Ky rezultat e la skuadrën në vendin e gjashtë në Premier League. Por ndeshja u shoqërua me komente të bëra për gazetarët.
Të premten ai në një mënyrë la të kuptohet se kishte përçarje në klub. Pas ndeshjes bëri tjetër sulm në përgjigjen e tij të fundit, që përfshinte deklaratën se “nuk do të largohej”.
Kjo në fakt do të thoshte se Unitedi ose do ta mbështeste portugezin, ose do ta shkarkonte atë.
Me taktikën e tij që ishte shqetësim i vazhdueshëm dhe me drejtuesit e klubit tashmë të brengosur nga qasja brutale e Amorimit ndaj lojtarëve të akademisë, gjasat për të zgjedhur shkarkimin ishin në rritje. Këtë e ndihmuan kritikat e Amorimit ndaj anëtarëve me përvojë të skuadrës.
Dhe ai u shkarkua të hënën.
Papa, formacioni dhe fillimi i fundit
Angazhimi i Amorimit u pa si një lëvizje progresive. Klubi solli dikë që do të punonte në një strukturë moderne dhe do të zhvillohej me kalimin e kohës. Por me 40-vjeçarin erdhi një stil specifik i lojës. Dhe formacioni 3-4-3 që ai e kishte shfrytëzuar te Sportingu.
Sa më shumë që pyetej për këtë, aq më shumë Amorim e forconte bindjen se ndryshimi do të humbte respektin ndaj tij te lojtarët. Ai ndiente se lojtarët do të mendonin se me ndryshim të formacionit nuk do të ishte i përkushtuar ndaj ideve të tij.
Ndërsa ishte i sigurt në metodat e tij – madje në një moment duke theksuar se as Papa nuk do të mund ta bindte të ndryshonte – Amorim pranoi në tetor se iu desh t’u thoshte lojtarëve të tij të injoronin zërat e jashtëm që vazhdimisht thoshin që sistemi i tij duhej të ndryshonte.
“A do të diktojë media se çka do të bëj unë?”, iu drejtua Amorim gazetarëve.
“Nuk mund të ndodhë. Nuk është e mundur të ndodhë kjo. Por lojtarët e mi, ju garantoj për këtë, po dëgjojnë çka flitet dhe po e fusin këtë brenda, sepse ne nuk po fitojmë ndeshje. Ata duhet të besojnë tek unë, sepse unë shikoj më shumë ndeshje se të gjithë ju së bashku”.
E gjithë kjo u kthye në vëmendje më 30 dhjetor. Katër ditë më herët ai e ktheu mbrojtjen me katër lojtarë dhe fitoi 1:0 ndaj Newcastle Unitedit. Por menjëherë kaloi në mbrojtjen me tre në ndeshjen ndaj Wolvesit.
Kjo nënkuptonte zhvendosjen e Patrick Dorgus nga roli sulmues në krahun e djathë, ku ishte shumë efektiv më 26 dhjetor. Dhe ai u zhvendos në mbrojtës të krahut të majtë.
Tifozët ishin të habitur, por edhe shumë të zhgënjyer në të njëjtën kohë.
Nuk ishte befasi që formacioni kundër Wolvesit dhe barazimi 1:1 ndaj skuadrës që kishte mbledhur vetëm dy pikë gjatë gjithë sezonit, sollën fishkëllima për ekipin. Dhe u pa shumë negativisht brenda klubit.
Drejtori teknik, Jason Wilcox foli privatisht me Amorimin më pas, duke e inkurajuar për fleksibilitet më të madh taktik. Por skuadra vazhdoi me tre mbrojtës ndaj Leedsit.
Ishte një hap tjetër i madh prapa në marrëdhënien e Amorimit me shefat e tij. Dhe kritikat e tij të vazhdueshme vetëm sa e përkeqësuan situatën.
Amorimi donte të lihej vetëm për ta bërë punën e tij, të lirë nga ndikimi i padëshiruar i Wilcox.
Por ajo që Amorimi e pa si ndërhyrje, Unitedi e konsideroi si reagim normal, e të cilit i ishte rezistuar vazhdimisht.
Situata u bë e papërballueshme. Unitedi është i gjashti, në përputhje me pritjet që ishin para fillimit të edicionit. Por ka skuadër që shumë njohës besojnë se me disa ndryshime të thjeshta taktike mund të ketë rezultate dukshëm më të mira.
Të hënën në mëngjes në Carrington, Wilcox dhe drejtori ekzekutiv, Omar Berrada, i thanë Amorimit se ishte shkarkuar.
Lëvizjet e lojtarëve
Me Amorimin, Unitedi është zhytur në një mënyrë që nuk duket e mundshme nëse për bazë merret se si janë rregulluar financat e futbollit këto ditë. Klubi i katërt më i pasur në botë ka garuar me rivalë dukshëm më të vegjël, por të drejtuar mirë, si Brentfordi, Bournemouthi dhe Brightoni.
Amorimi në verë premtoi se ky edicion do të ishte më i mirë. Ishte në një masë, por tifozët pyesin nëse një trajner i Unitedit mund të krahasohet me vend të 15-të.
Tek Unitedi e kanë ditur se skuadra që ishte nuk përshtatej në idetë taktike të Amorimit. Dhe klubi e mbështeti me më shumë se 200 milionë funte gjatë verës, për të blerë lojtarët që i duheshin. Dhe po ashtu aprovoi largimin e Marcus Rashfordit, Jadon Sanchos, Antonyt dhe Alejandro Garnachos.
Drejtuesit po ashtu respektuan dëshirën e Amorimit për të ndryshuar sulmuesin kryesor. Rasmus Hojlund kaloi te Napoli, kurse Benjamin Sheshko shënoi vetëm dy gola në 17 paraqitje pas transferimit prej 74 milionë funtesh nga RB Leipzigu.
Në përgjithësi rekrutimi ishte dështim tek Unitedi. Madje dështim kolektiv. Dhe klubi nuk është më atraktiv si më parë.
Amorim tashmë i takon historisë, njëjtë si David Moyes, Louis van Gaal, Jose Mourinho, Ole Gunnar Solskjaer, Ralf Rangnick e Erik ten Hag para tij.
Kërkimi për trajnerin e ri ka nisur. Por mund të duhet më tepër sesa vetëm një njeri i ri në krye për të zgjedhur problemet e Unitedit.