Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se ka ardhur koha që Bashkimi Evropian të bashkohet dhe t’i jap Kosovës statusin e vendit kandidat, më shumë se tri vjet pasi aplikoi për anëtarësim.
Në fjalimin para liderëve evropian në samitin BE – Ballkani Perëndimor, Haxhiu u shpreh se zgjerimi i Bashkimit Evropian duhet të shihet si domosdoshmëri strategjike për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit, veçanërisht në kontekstin e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe shtimit të kërcënimeve hibride në Evropë dhe në rajon.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Kosova është ndër shoqëritë më proevropiane në rajon. Ne kemi dëshmuar përkushtimin tonë përmes reformave, përputhjes së plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian, si dhe kontributit tonë për paqen dhe stabilitetin rajonal”, ka thënë ajo para liderëve evropianë, sipas njoftimit të Presidencës.
Ajo nënvizoi se përparimi i Kosovës duhet të njihet edhe në procesin e integrimit evropian, duke shtuar se më shumë se tri vjet pas aplikimit për anëtarësim, është koha që BE-ja të bashkohet rreth vendimit për statusin e vendit kandidat për Kosovën dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit.
“Kosova nuk kërkon rrugë të shkurtra. Kërkojmë një proces të drejtë, të besueshëm dhe të bazuar në meritë. Procesi i anëtarësimit ka fuqi transformuese për demokracinë, institucionet dhe ekonominë, prandaj është koha që Kosova të marrë hapin e radhës”, theksoi Haxhiu.
Në fjalën e saj, Haxhiu mirëpriti edhe vendimin e BE-së për hapjen e negociatave për integrim në zonën “Roam Like at Home”, si dhe hapat drejt integrimit gradual në kuadër të Planit të Rritjes dhe Tregut të Përbashkët Rajonal. Ajo theksoi se integrimi gradual duhet t’i shërbejë qëllimit përfundimtar: anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
U.d. presidentja po ashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, zbatimit të marrëveshjeve të arritura dhe trajtimit të barabartë të të gjitha shteteve në rrugën evropiane, pa pengesa politike kur standardet e BE-së janë përmbushur.
Duke folur për sigurinë rajonale, ajo theksoi se sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor duhet të trajtohen me qartësi dhe përgjegjësi. Në këtë kontekst, Haxhiu rikujtoi se pothuajse tri vjet pas sulmit terrorist në Banjskë, ende nuk ka drejtësi për policin e vrarë të Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa kryesi kryesor, Milan Radoiçiq dhe grupi i tij paramilitar vazhdojnë të jenë të lirë dhe të mbrojtur nga Serbia.
“Në përmbyllje, u.d. Presidentja Haxhiu riafirmoi se Kosova është e gatshme të vazhdojë reformat, të thellojë bashkëpunimin me Bashkimin Evropian dhe të kontribuojë në një Ballkan Perëndimor më të sigurt, më demokratik dhe më të integruar në familjen evropiane. Ajo theksoi se trajtimi i barabartë i pakicave është vlerë evropiane, e sanksionuar në traktatet e Bashkimit Evropian, dhe se të gjitha shtetet duhet t’u përmbahen standardeve evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të pakicave”, thuhet në njoftim.