Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haxhiu: Të njihet përparimi i Kosovës, duke ia dhënë statusin e vendit kandidat

Albulena Haxhiu

Gjatë pjesëmarrjes në Samitin e Sofjes, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se Kosova ka bërë përparim të matshëm në indekse ndërkombëtare dhe në procesin e integrimit evropian. Ajo ka kërkuar që ky përparim duhet të njihet. Haxhiu ka theksuar se pas më shumë se tre vjetësh nga aplikimi, Kosova duhet të ecë drejt statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave të anëtarësimit

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), që është mbajtur në Sofje, ka kërkuar avancim të mëtejshëm të procesit të integrimit, përfshirë marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

Haxhiu ka theksuar se procesi duhet të jetë meritokratik dhe i bazuar në standarde.

“Riafirmova orientimin e qartë të Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe përkushtimin tonë për reforma, sundim të ligjit, zhvillim ekonomik dhe rritje të qëndrueshme. Kosova ka bërë përparim të matshëm në indekse ndërkombëtare dhe në procesin e integrimit evropian”, ka thënë Haxhiu. “Ky përparim duhet të njihet. Pas më shumë se tre vjetësh nga aplikimi ynë, Kosova duhet të ecë drejt statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave të anëtarësimit”.

Haxhiu ka thënë se mbi 90 për qind e qytetarëve të Kosovës e mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Evropian, për të cilën përqindje ka thënë se përbën një nga nivelet më të larta të mbështetjes në rajon. 

“Ne jemi të gatshëm ta nisim punën për hapjen e negociatave të anëtarësimit”, ka thënë ajo.
Në Sofje është organizuar Samiti i Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, në 30-vjetorin e këtij procesi.

Edhe Haxhiu: Kosovës duhet t’i hapet rruga drejt negociatave për anëtarësim në BE Arbëri 2 j. më parë Haxhiu: Kosovës duhet t’i hapet rruga drejt negociatave për anëtarësim në BE

Haxhiu ka theksuar se gjatë punimeve të samitit, ka theksuar se bashkëpunimi rajonal ka vlerë vetëm kur është i barabartë, gjithëpërfshirës dhe i zbatueshëm në praktikë.

“Rajoni ynë ka nevojë për më shumë siguri, lidhshmëri më të mirë, më shumë mundësi për të rinjtë dhe një proces evropian që ecën përpara kur standardet përmbushen”, ka thënë Haxhiu.

Çështja e procesit të integrimit është diskutuar edhe në margjina të Samitit, ku Haxhiu ka zhvilluar takime të ndara me presidenten e Sllovenisë, Natasa Pirc Musar, dhe me atë të Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.

Bazuar në njoftimin e Presidencës, në takimin me presidenten sllovene është diskutuar “për marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme sllovene ndaj rrugës evropiane dhe euroatlantike të Kosovës”.

“U.D. Presidentja Haxhiu shprehu mirënjohjen e Kosovës për mbështetjen e Sllovenisë në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe theksoi rëndësinë që kjo mbështetje të vazhdojë deri në përmbylljen e suksesshme të këtij procesi”, thuhet në njoftim. “Në takim u trajtuan edhe hapat e ardhshëm të Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian, përfshirë nevojën që përparimi në reforma, rreshtimi me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si dhe përkushtimi ndaj vlerave evropiane të pasohen me lëvizje konkrete në procesin e integrimit”.

E në takimin me presidenten e Maqedonisë së veriut, sipas njoftimit të Presidencës, është diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, “si dy vende fqinje me interes të përbashkët për stabilitetin rajonal, lidhshmërinë dhe integrimin evropian”.

“U.D. Presidentja Haxhiu theksoi rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së ndërsjellë në organizata ndërkombëtare, përfshirë mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe për një rrugë më të qartë drejt NATO-s”, thuhet në njoftim.

E, bazuar në një komunikatë për media, të lëshuar nga Presidenca, gjatë pejsëmarrjes në Samit, Haxhiu e ka vënë theksin edhe në rëndësinë e integrimit ekonomik rajonal, projekteve infrastrukturore strategjike, zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese dhe respektimit të barabartë të të gjitha vendeve të rajonit në organizatat rajonale.

Edhe Haxhiu kërkon avancimin e Kosovës drejt statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE Arbëri 3 j. më parë Haxhiu kërkon avancimin e Kosovës drejt statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE

“Në fjalimin e saj, ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, sigurisë dhe integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke vlerësuar rolin e SEECP-së si një platformë kyçe për stabilitetin e rajonit. Haxhiu dënoi ashpër agresionin rus kundër Ukrainës dhe nënvizoi se pasojat e tij po prekin sigurinë në gjithë Evropën, përfshirë edhe Evropën Juglindore”, thuhet në komunikatë. 

Haxhiu e ka vlerësuar SEECP-në si një mekanizëm të rëndësishëm për bashkëpunimin rajonal dhe ka ritheksuar gatishmërinë e Kosovës për të kontribuar në forcimin e stabilitetit dhe perspektivës evropiane të rajonit.

Në samit u miratua edhe Deklarata e Sofjes, e cila riafirmon rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, sigurisë, lidhshmërisë, zhvillimit ekonomik dhe perspektivës evropiane të rajonit.

Edhe të premten e shkuar Haxhiu, u ka kërkuar udhëheqësve të BE-së dhe liderëve të vendeve kryesore anëtare, që të bashkohen për statusin e vendit kandidat për Kosovën.

Mesazhin e ka dhënë gjatë fjalës që ka mbajtur në seancën plenare të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, të organizuar në Tivat të Malit të Zi, e ku krahas përfaqësuesve të lartë të vendeve të rajonit, kanë marrë pjesë edhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si dhe liderë të shteteve si presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez.

Haxhiu pati apeluar që përparimi i Kosovës të njihet.

“Më shumë se tri vjet pas aplikimit tonë në Pragë për anëtarësim, është koha që Bashkimi Evropian të bashkohet rreth vendimit për statusin e vendit kandidat për Kosovën dhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit”, pati thënë ajo. “Ne besojmë se vetë procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian ka fuqinë transformuese për ta çuar edhe më tej demokracinë, për t’i forcuar institucionet tona demokratike dhe për ta rritur ekonominë. Procesi është po aq i rëndësishëm sa edhe anëtarësimi”.

Edhe Haxhiu: Është koha që BE-ja të bashkohet për t’i dhënë Kosovës statusin e vendit kandidat Arbëri 1 muaj më parë Haxhiu: Është koha që BE-ja të bashkohet për t’i dhënë Kosovës statusin e vendit kandidat

Haxhiu ka shprehur besimin se të gjitha shtetet anëtare të BE-së, të pranishme në samit, mund dhe duhet të bashkohen në këtë qëllim. 

Kosova është i vetmi shtet nga rajoni, të cilit BE-ja nuk ia ka dhënë statusin e vendit kandidat.