Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që progresi i Kosovës në zbatimin e reformave të marrë përgjigje të qartë politike përmes avancimit drejt statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave për anëtarësim.
Këto komente Haxhiu i bëri gjatë takimit me Valentina Supertin, drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, e cila po qëndron për vizitën e saj të parë në Kosovë.
Sipas njoftimit të Presidencës, Haxhiu vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për zhvillimin e Kosovës, duke theksuar se kjo mbështetje është shndërruar në institucione demokratike, reforma dhe orientim të qartë evropian, i cili, sipas saj, gëzon mbështetje të lartë nga qytetarët.
“U.D. Presidentja theksoi se Kosova ka mbajtur kurs të qartë në reformat evropiane, është plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, dhe po i zbaton me seriozitet obligimet që dalin nga Agjenda e Reformave dhe Plani i Rritjes. Ajo kërkoi që progresi i Kosovës të marrë përgjigje të qartë politike nga Bashkimi Evropian përmes avancimit drejt statusit kandidat dhe hapjes së negociatave të anëtarësimit”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Presidentes.
Gjatë takimit u diskutua edhe për rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të Procesit të Berlinit dhe bashkëpunimit të barabartë rajonal.
Haxhiu theksoi se Kosova duhet të trajtohet në mënyrë të barabartë në përfaqësim, lidhje infrastrukturore, tregti, digjitalizim dhe qasje në iniciativat e tregut të përbashkët.
Kurti: BE-ja t’i përgjigjet vullnetit të popullit të Kosovës për anëtarësim
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar që Bashkimi Evropian t'i përgjigjet vullnetit të qytetarëve të Kosovës për integrim evropian me avancimin e vendit drejt statusit të kandidatit dhe hapjen e negociatave për anëtarësim.
Kështu është shprehur ai në takimin me drejtoreshën për Zgjerim dhe Fqinjësi të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Valentina Superti, e cila po zhvillon vizitën e saj të parë në Kosovë.
Kurti tha se Bashkimi Evropian është një kontribuues i rëndësishëm në zhvillimin e Kosovës, ndërsa anëtarësimi mbetet synimi strategjik i vendit.
"Vullnetit të popullit tonë për anëtarësim, BE-ja duhet t'i përgjigjet me vullnet të ndërsjellë për pranim. Statusi i vendit kandidat dhe hapja e negociatave janë pikënisje e një procesi nga i cili Kosova forcon demokracinë dhe zhvillohet edhe më shumë", ka shkruar Kurti.
Ai theksoi se Kosova është lidere në rajon në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, të drejtat politike dhe liritë civile, si dhe në indekset e zgjedhjeve dhe demokracive liberale.
Gjatë takimit me Supertin, sipas Kurtit, u diskutua edhe për Planin e Rritjes, integrimin e Kosovës në zonën "Roam Like at Home", Procesin e Berlinit, bashkëpunimin rajonal dhe përfaqësimin e barabartë, si dhe për infrastrukturën, tregtinë, digjitalizimin dhe arsimin.