Futboll

Amorimi u kërkon falje tifozëve pas një tjetër turpërimi të Unitedit

Ruben Amorim

Trajneri i Manchester Unitedit, Ruben Amorim, ka thënë se ekipi i tij ishte “plotësisht i humbur”, pas eliminimit turpërues në raundin e dytë të Kupës së Ligës. Unitedi u eliminua të mërkurën mbrëma nga Grimsby i kategorisë së katërt, me rezultatin 12:11 në penallti.

Humbja nga ekipi i kategorisë së katërt paraqet pikë tjetër të ultë për ekipin me nam, nën drejtimin e Amorimit. Dhe edhe optimistët më të mëdhenj tani janë shumë dyshues për kampanjën e re në Premier League. Unitedi po pësonte 2:0 pas 30 minutave lojë dhe ka mundur të pësojë edhe golin e tretë në pjesën e dytë. Skuadrës i mungoi plotësisht ritmi, por Bryan Mbuemo dhe Harry Maguire shënuan gola të vonshëm për ta dërguar ndeshjen në penallti.

“Mendoj se ky është limiti. Duhet të ndryshojë diçka. Mendoj se ekipi dhe lojtarët kanë folur zëshëm sot. Mendoj se ekipi më i mirë fitoi, ekipi i vetëm që ishte në fushë. Mendoj se është e qartë ajo që folën, kështu që të lëvizim përpara nga kjo ditë. Mendoj se ishte e qartë për të gjithë se çka ndodhi sot. E nisëm ndeshjen pa intensitet dhe ishim plotësisht të humbur. Në këtë moment ne duhet të fokusohemi te ndeshja e fundjavës dhe më pas kemi kohë për të menduar”, ka thënë Amorim.

Unitedi, që ka 20 tituj të Anglisë, përfundoi vetëm i 15-ti në edicionin e kaluar. Ishte kampanja më e keqe në ligë që kur kishte rënë në kategorinë e dytë në vitin 1974. Tani njëra prej dy mundësive të vetme reale për të fituar trofe këtë edicion është zhdukur, pas njërit prej rezultateve më të këqija në histori të klubit.

Amorimi bëri tetë ndryshime në përbërje në krahasim me ndeshjen e fundjavës. Por sërish aktivizoi shumë reprezentues dhe lojtarë të vlefshëm dhjetëra miliona euro.

Benjamin Sheshko startoi për herë të parë për Unitedin pas transferimit nga Leipzigu për 74 milionë funte. Andre Onana kishte një paraqitje për të harruar pas kthimit në portë.

Kur Amorimi e zëvendësoi Erik ten Hagun edicionin e kaluar, drejtuesit e klubit folën për një trajner ambicioz që do ta kthente skuadrën në rrugën e fitoreve. Ai kishte edhe përkrahjen e shikuesve, ndërsa premtoi se gjërat do të ishin më mirë pas dëshpërimit në edicionin 2024/2025.

Por kjo duket jo reale tani, pas një vere në të cilën klubi investoi shumë në forcimin e skuadrës, sidomos në sulm.

Portugezi është pyetur nëse e beson atë që e pa.

“Jo, por unë jam trajneri. Është puna ime të kuptoj se çka ka ndodhur. Sërish, më vjen shumë keq për tifozët. Le të fokusohemi në ndeshjen e radhës. Nuk kam përgjigje të tjera. Nuk kam çka të them më shumë. Dua vetëm t’u kërkoj falje tifozëve. Më vjen shumë, shumë keq. Kemi luajtur mirë ndaj Arsenalit dhe më pas është dashur të fitojmë ndaj Fulhamit. Dhe më pas të vijmë në Kupën e Ligës ku çdo gjë është kaq e rëndësishme në këtë moment. Dhe ne jemi paraqitur në këtë mënyrë”, ka thënë Amorim.

Problemet për portugezin janë të shumta. Dhe zërat për një largim të tij po rriten vazhdimisht.