Futboll

Al-Hilali “ngjitet në Everest”, derisa City jep shenja shqetësuese

Al-Hilali

Arabia Saudite ka shpenzuar miliarda euro për t’u bërë forcë në futbollin botëror. Të hënën mbrëma në Florida tifozët që festuan kishin ndjenjën që një pjesë e vogël e këtij investimi po arsyetohej.

Skuadra e Ligës Profesionale të Arabisë Saudite, Al-Hilali, la gjurmë duke eliminuar skuadrën dominante të viteve të kaluara në Premier Leaguen e Anglisë, Manchester Cityn, në një ndeshje epike të Kupës së Botës për Klube.

Mbrëmjet e së hënës në SHBA janë më shumë të njohura për shfaqjet e mundjes në televizion. Por ishte futbolli që ofroi shfaqjen e madhe sportive këtë herë. Goli i Marcos Leonardos në minutën e 112-të, bëri që City të eliminohet në një të tetën e finales, duke u mposhtur 4:3.

Siç tha ish-futbollisti i Anglisë, Andros Townsend në DAZN, “Al-Hilali e tronditi botën”.

Për sulmuesin brazilian Leonardo, ishte një mbrëmje emocionuese. Marcos Leonardo foli për nënën e tij, që po e merr veten pas dy muajve në spital me një sëmundje të rëndë.

“Dy muajt e fundit ishin të vështirë. Nëna ime i kaloi 70 ditë në kujdes intensiv. Falë zotit tani ajo është më mirë. Kur shënova dy golat mendjen e kisha tek ajo. Ajo ishte në gjendje të shihte ndeshjen”, ka thënë Leonardo.

Trajneri i Al-Hilalit, Simone Inzaghi, ndjeu që është kthye në majën e botës së futbollit.

Një muaj më parë Inzaghi u largua nga Interi. U nda me klubin italian tri ditë pas humbjes 5:0 nga PSG-ja në finale të Ligës së Kampionëve.

Ende pa u përshtatur plotësisht në klubin e ri, italiani ka një fitore të madhe që mund ta festojë.
“Çelësi i këtij rezultati janë lojtarët, loja me zemër që bënë në fushë”, tha Inzaghi.

“Sonte na është dashur të bëjmë diçka të jashtëzakonshme sepse e kemi ditur sa i mirë është Manchester City. E dinim se duhej të ngjiteshim në malin Everest pa oksigjen dhe ishim të shkëlqyer. Luajtëm me vendosmëri të madhe dhe vërtet po e ndiejmë lojën. Lojtarët e merituan. Ata luftuan për çdo top dhe kjo i jep kënaqësi familjes Al-Hilal, Arabisë Saudite dhe tifozët që janë këtu me ne”, ka shtuar trajneri i njohur italian.

Kupa e zgjeruar e Botës për Klube nuk mori vlerësime universale. Por ndeshja e paharrueshme e një të tetës së finales do të diskutohet në gjithë globin. Në pjesën e parë u dallua portieri i Al-Hilalit, Bono. 
Tifozët arabë kanë festuar me pasion, njëjtë si gazetarët nga Arabia Saudite që festuan edhe në sallën ku mbahej konferenca për shtyp. 

Mbi 700 milionë funte kanë shpenzuar klubet arabe për të angazhuar futbollistë nga vendet e tjera. Transferimi i portugezit Cristiano Ronaldo në Al-Nassr, dy vjet më parë, “ndryshoi lojën”.

Lojtarët e Al-Hilalit kanë thënë se fitorja është dëshmi që niveli i ligës arabe nuk është ai që mendohet. Pra është dukshëm më i lartë. 

“E dinim se do të jetë vështirë kundër njërit prej ekipeve më të mira në botë. Ne kemi dashur të tregojmë nivelin tonë. Jemi shumë të lumtur sepse kemi dashur të tregojmë që Al-Hilali e ka nivelin për të garuar këtu”, ka thënë ish-mbrojtësi i Chelseat, Kalidou Koulibaly, që shënoi golin e parë në vazhdime.

Për Manchester Cityn, faza grupore ishte e lehtë. Por skuadra e Pep Guardiolas u eliminua në ndeshjen e parë të fazës nokaut, pas një paraqitjeje kaotike në mbrojtje.

Skuadra angleze shpesh u hap pas kundërsulmeve dhe pagoi çmimin për pakujdesinë në të dy anët e fushës. Nuk shfrytëzoi një mori rastesh të krijuara, sidomos në pjesën e parë.

“Nuk është rastësi, por shenjë vërtet shqetësuese për Guardiolan. City ka mundur të shënojë më shumë. Rastet e humbura janë shqetësim i vërtetë”, ka thënë Shay Given, ish-portier i Cityt.

Më 16 gusht Manchester City e luan ndeshjen e parë në Premier League. Guardiola ka disa javë për të kaluar telashet që iu shfaqën ndaj arabëve.

“Ishte ndeshje e vështirë. Ne i lejuam kundërshtarët të bënin tranzicion, por krijuam shumë. Është për të ardhur keq. Ishte një udhëtim i pabesueshëm së bashku dhe jemi në një vend kaq të mirë. Atmosfera ishte vërtet e mirë. Do të na pëlqente të vazhdonim. Kishim një ndjesi se skuadra po luan mirë, por shkojmë në shtëpi dhe tani është koha të pushojmë dhe të qetësojmë mendjet tona për edicionin e ri”, ka thënë Guardiola.