Futboll

Afati i janarit nuk e ndryshon situatën te Kosova

Kosova

Në ligat e mëdha evropiane afati kalimtar dimëror ka përfunduar të hënën mbrëma. Dhe ky afat nuk ka ndryshuar situatën në ekipin përfaqësues të Kosovës në futboll.

Nuk është bërë ndonjë transferim me peshë të madhe, sa u takon lojtarëve të përzgjedhur nga Franco Foda. Dhe “hierarkia” pritet të mbetet e njëjtë deri në mars, kur janë ndeshjet e plejofit për kualifikim në Botërorin 2026. Kosova më 26 mars luan ndaj Sllovakisë në Bratislavë në gjysmëfinale të plejofit.
Prej startuesve në ndeshjet e fundit, skuadër nuk ka ndërruar asnjëri. Mbrojtësi Ilir Krasniqi, që startoi në tri prej gjashtë ndeshjeve të ciklit të fundit kualifikues, ka ndryshuar skuadër por ka mbetur në kampionatin ukrainas. Krasniqi kaloi nga Kolosi te Polissya, skuadër që ka gjasa më të mëdha për titull të kampionit. Krasniqi startoi në dy ndeshjet ndaj Suedisë dhe në atë në shtëpi ndaj Sllovenisë. Por pas kthimit të Amir Rrahmanit nga lëndimi, mbeti në stol. 

Te Polissya ka kaluar edhe Lindon Emërllahu, që është njëri prej mesfushorëve rezervistë te Kosova. Ai lëvizi nga Cluji rumun në kampionatin ukrainas.

Prej portierëve, Visar Bekaj është bërë me skuadër, duke firmosur me Tiranën. Por kjo lëvizje vështirë se do të lëvizë Bekajn nga “pozita”  e portierit të tretë të Kosovës. 

Prej mesfushorëve është pritur lëvizje nga Valon Berisha, që nuk është pjesë e planeve të LASK-ut austriak. Një lëvizje në Bosnjë-Hercegovinë u raportua se u refuzua nga Berisha. Ai ende mund të lëvizë, por në ligat ku afati është ende i hapur. Top-ligat evropiane në fakt as nuk ishin mundësi për Berishën, që mund të rrezikojë të mbetet jashtë ekipit përfaqësues, varësisht situatës së tij në nivel klubesh.

Për kohë të gjatë Fisnik Asllani ishte pritur që të lëvizte nga Hoffenheimi, pas interesimit nga skuadra më të mëdha evropiane. Por Asllani do të luajë te kjo skuadër e Bundesligës të paktën deri në verë. 
Edon Zhegrova aktualisht nuk po kalon moment të mirë te Juventusi. Madje nuk është aktivizuar fare në dy ndeshjet e fundit. Por Zhegrova do të mbetet te “Zonja e Vjetër”.

Prej lojtarëve kandidatë për vend te Kosova janë regjistruar disa lëvizje. Kështu mbrojtësi Andi Hoti kaloi nga Magdeburgu te Eintracht Braunschweigu në Bundesliga 2. Ai i kishte vetëm pesë paraqitje te Magdeburgu, po në Bundesliga 2. Ka pak gjasa që Hoti të imponohet si kandidat për vend te Kosova. Ai ka vetëm një paraqitje me Kosovën, në vitin 2024.

Apo edhe Mirlind Kryeziu, që ishte pa skuadër dhe iu bashkua skuadrës së fundit në Superligën e Zvicrës, Winterthurit. Mbrojtësi i qendrës tashmë është 29-vjeçar. I ka dhjetë paraqitje për Kosovën, të fundit në vitin 2023.

Ndërkohë Emir Sahiti, që edhe më parë ishte larg ekipit përfaqësues të Kosovës, është larguar edhe më shumë pas hapit prapa në karrierë. Ai u huazua te Maccabi Tel Aviv në Izrael nga Hamburgu i Bundesligës gjermane.

Kështu, gjasat janë të mëdha që Franco Foda të bazohet në grupin e njëjtë të lojtarëve që ishin në grumbullimet e fundit, nëse të gjithë janë të gatshëm. Aro Muriq pritet në portë, në mbrojtje priten Amir Rrahmani, Albian Hajdari, Lumbardh Dellova, Mërgim Vojvoda e Dion Gallapeni. Në mesfushë me shumë gjasa do të luajnë Leon Avdullahu, Elvis Rexhbeçaj dhe Florent Muslija si më i avancuar. Dhe në sulm pos Vedat Muriqit të pakontestueshëm, sërish pritet Fisnik Asllani.