Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Te Hoffenheimi shpresojnë që te Kosova të jenë të kujdesshëm me Asllanin

Asllani

Miqësorja e Kosovës ndaj Andorrës, e luajtur më 7 qershor, është ndeshja e fundit në të cilën Fisnik Asllani kishte më shumë minuta. Gjatë verës, Asllani është dashur të kalojë nga Hoffenheimi te RB Leipzigu. Transferimi dështoi për shkak se Leipzigu kishte vërejtje për gjendjen shëndetësore të sulmuesit kosovar. Ai mbeti te Hoffenheimi, që e integroi gradualisht në skuadër pas verës së vështirë.

Asllani nuk ka pasur përgatitjet më të mira e po ashtu ka pasur shqetësim fizik. 

Nisi me ndeshje më 12 shtator, ndaj Stuttgartit. Luajti prej minutës së 83-të. Ndaj OFI Crete më 17 shtator në Ligën e Evropës luajti nga minuta e 75-të. Dhe të dielën luajti nga minuta e 80-të në ndeshjen e Bundesligës ndaj Paderbornit. 

Kjo është dëshmi se Asllani nuk është në formën më të mirë fizike. Ai megjithatë është grumbulluar me Kosovën dhe pritet të ketë minuta në katër ndeshjet e ardhshme.

Te Hoffenheimi shpresojnë që në kampin dardan të jenë të kujdesshëm lidhur me aktivizimin e Asllanit.

Hoffenheimi e ka nisur si më keq edicionin e ri. Ka humbur katër prej pesë ndeshjeve në Bundesligë dhe po ashtu ndeshjen në Ligën e Evropës. Tashmë 18 prej 27 lojtarëve të ekipit të parë të Hoffenheimit janë me përfaqësueset e tyre dhe kjo i pamundëson trajnerit Christian ilzer të punojë taktikisht për të dalë nga kriza.

Lidhur me këtë “Kicker” ka publikuar një shkrim të martën.

“Është shifër e jashtëzakonshme dhe ne jemi të lumtur për secilin prej djemve tanë që e meritoi ftesën”, ka thënë drejtori sportiv i Hoffenheimit, Andreas Schicker. Ai po ashtu ka shprehur shqetësime. 

“Shpresojmë që të gjithë të kthehen të shëndetshëm, në mënyrë që ta nisim fazën tjetër me energji të reja. Faza tjetër do të jetë shumë kërkuese”.

Pas ndeshjeve ndërkombëtare, Hoffenheimin e presin plot shtatë takime brenda 22 ditëve. Te Hoffenheimi shpresojnë të kthehen në rrugën e sukseseve.

Pos për Asllanin, në klubin gjerman shpresojnë që të ketë kujdes edhe për Andrej Kramariqin e grumbulluar me Kroacinë. Kramariq ka pasur një operim, dhe njëjtë si Asllani, nuk ka luajtur me intensitet maksimal deri më tani.

“Mbetet e dyshimtë, për të mos thënë më shumë, nëse kjo qasje e matur do të ruhet gjatë kohës që ata janë me ekipet e tyre kombëtare. Drejtuesit e Hoffenheimit kanë lejuar këta dy lojtarë të largohen me njëfarë shqetësimi dhe pasigurie”, ka shkruar “Kicker”.

Pjesë e Hoffenheimit janë edhe mbrojtësi Albian Hajdari dhe mesfushori Leon Avdullahu. Dy reprezentuesit kosovarë, njëjtë si skuadra e tyre, nuk kanë shfaqur më të mirën në fillim të edicionit.