Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

A do të ndikojnë telashet e mëdha të federatës në përfaqësuesen e Sllovakisë?

Sllovakia

Federata e Futbollit e Sllovakisë po përballet me telashe të mëdha. Mediat në Sllovaki vazhdimisht merren me telashet e federatës dhe zhvillimet në të. Ka pasur raportime për borxhe të shumta, ndër të tjera edhe ndaj selektorit Francesco Calzona.

Megjithatë, presidenti i federatës, Jan Kovaçik, e ka fituar edhe një mandat në Kongresin e javës së kaluar.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në një konferencë të mbajtur së fundi, Kovaçik ka folur për ndryshimet që i bëri në pozitat drejtuese në federatë. Ai megjithatë shpreson që telashet e federatës mos të kenë ndikim në përfaqësuese.

Sllovakia e Kosova përballen më 26 mars në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Kupën e Botës 2026. Ndeshja shumë e rëndësishme zhvillohet në Bratislavë.

Kovaçik është pyetur për mundësinë që gjendja e federatës të ketë ndikim në ekipin përfaqësues.

“Sa u takon lojtarëve dhe trajnerëve, nuk mendoj se do të ketë ndonjë ndikim. Shumica prej tyre jetojnë jashtë vendit dhe ne e njohim njëri-tjetrin aq mirë sa që nuk mendoj se do të ketë ndonjë pasojë. Lojtarët, trajnerët dhe ne e dimë se çka po ndodhë. Do të krijojmë kushtet për ta si për të gjitha ndeshjet tjera të ekipit nacional. Do të kemi bisedë me ta në fillim të grumbullimit, pasi ata e meritojnë të dinë situatën”, ka thënë Jan Kovaçik.

Ai ka pranuar se reputacioni i federatës është goditur rëndë. Por ka thënë se e mori edhe një mandat pikërisht për të bërë çdo gjë për të kthyer besimin.

“Besoj po ashtu se mund të rregullojmë situatën ekonomike. Kemi pasur problem të ngjashëm, ndoshta edhe më të madh, dy herë në të kaluarën dhe duhet të merremi me këtë. Askush nuk na ka ndihmuar nga jashtë në ato raste, ndonëse asnjëherë nuk kemi pasur anti-kampanjë nga mediat sikur tani. Jam i bindur se do të kalojmë përtej kësaj”, ka theksuar Kovaçik.

Drejtues të federatës sllovake thonë se në këtë institucion situata nuk është ideale. Është e vështirë, por jo e pamenagjueshme.

Megjithatë nga telashet e federatës sllovake, në mënyrë indirekte mund të përfitojë edhe Kosova. Fitorja eventuale në Bratislavë do të ishte historike për "Dardanët".

Në rast të fitores, Kosova në finale të plejofit luan me Turqinë apo Rumaninë.