Federata e Futbollit e Sllovakisë kishte tri opsione për organizimin e ndeshjes gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Botërorin 2026 kundër Kosovës.
Në fund zgjodhi stadiumin kombëtar në Bratislavë për ndeshjen shumë të rëndësishme për kualifikim në Botërorin e vitit të ardhshëm.
Opsione të tjera ishin stadiumi i qytetit në Trnava dhe ai në Koshice.
Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Sllovakisë, Peter Palençik, tha se disa rrethana janë marrë për bazë kur vendosën që ndeshjen kundër Kosovës ta organizojnë në Bratislavë.
Një prej arsyeve është siguria.
“Ne e shfrytëzuam kohën që kishim në dispozicion pas shortit të ndeshjeve të plejofit. U morën në konsideratë stadiumet e Bratislavës, Trnavës dhe Koshicës. Morëm në konsideratë të gjitha rrethanat, kushtet, mundësitë dhe kompleksitetet e përgatitjes së një ndeshjeje të tillë. Logjistika për mbërritjen dhe qëndrimin e të dy ekipeve, kapaciteti i stadiumit, mundësia e ndërhyrjes operative në rast të ndonjë ngjarjeje të paparashikuar patën ndikim të rëndësishëm. Në fund, vendosëm ta luanim ndeshjen me Kosovën në Bratislavë dhe ia përcollëm këtë informacion edhe UEFA-s”, tha Palençik për “futbalsfz.sk”.
Kapaciteti i stadiumit ku do të zhvillohet ndeshja Sllovaki – Kosovë është 22 mijë e 500 ulëse. Ndeshja zhvillohet më 26 mars nga ora 20:45. Stadiumi ku do të zhvillohet ndeshja u lëshua për shfrytëzim pas rinovimit në vitin 2013. Tribunat e stadiumit janë në tërësi të mbuluara.
Kosova nuk është përballur asnjëherë me Sllovakinë. Sllovakia është përfaqësuesja e radhës e një shteti që nuk e njeh shtetin e Kosovës e që do të luajë ndaj "Dardanëve".
Nëse Kosova fiton kundër Sllovakisë, më 31 mars pret Turqinë apo Rumaninë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Dhe me fitore edhe në atë ndeshje do të kualifikohej në Botëror. Do të ishte sukses historik.
Çmimi i biletave për ndeshjen Sllovaki – Kosovë do të bëhet i ditur javën e ardhshme në faqen e Federatës sllovake.
Shumë shqiptarë nga vendet e afërta me Sllovakinë dhe po ashtu tifozë të organizuar nga Kosova do të jenë të pranishëm në përkrahje të lojtarëve të përfaqësueses dardane.