Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
EXPRESS

Tetë vjet e përcolli djalin në shkollë në mungesë të kushteve për fëmijët me nevoja të veçanta

Për tetë vite radhazi Hazir Mehmeti e ka dërguar në shkollë dhe ka qëndruar afër Riadit, djalit të tij 17-vjeçar. Këtë e ka bërë pasi institucionet nuk kanë ofruar kushtet e përshtatshme për fëmijët me nevoja të veçanta, duke detyruar prindërit të krijojnë vetë të gjitha kushtet.

“Është dashtë atë kohë ta dërgoj vetë në shkollë, të pres deri ta kryejë mësimin dhe me dërgu në shtëpi dhe me qëndru në oborr të shkollës ‘nonstop’. Për tetë vite kam qëndruar ashtu me Riadin. Atë kohë është dashur të qëndroj tetë vite sepse kemi jetuar në fshatin Turiqic, në klasën e dytë është mbyllë shkolla sepse nuk ka pasur nxënës të mjaftueshëm dhe na ka dërguar në Orllan. Komuna e ka siguruar një kombi-bus për nxënësit tjerë, por për Riadin nuk ka pasur qasje dhe është dashur që të vazhdoj prapë unë”, ka thënë Mehmeti në Express.