Shkollat në Kosovë përballen me sfida nga nxënës me sjellje asociale, ndërsa mungojnë programe efektive për riintegrimin e tyre. Të dhënat nga Policia e Qendra për Punë Sociale tregojnë për numër nxënësish që bartin edhe armë, dhe që edhe kur aplikohen masat ndaj tyre, nuk ndryshojnë sjellje
Afro 120 fëmijë deri 14 vjeç që kanë shfaqur sjellje asociale i janë nënshtruar trajtimit në Qendrën për Punë Sociale në Prishtinë, gjatë muajve janar-shtator të këtij viti.
Në mesin e tyre, sipas drejtorit të kësaj qendre, Bajram Shala, janë edhe nxënës vështirë të menaxhueshëm, që shkaktojnë probleme në shkollë, që shfaqin shenja dhune apo edhe bartin armë.
“Kryesisht raste të referuara nga shkolla apo Policia e Kosovës, pasi që kanë pasur sjellje të dhunshme në mes të moshatarëve, vjedhje, kërcënim ndaj të tjerëve, posedim të armëve e të tjera”, ka thënë Shala, kur ka treguar profilin e nxënësve që marrin shërbim në qendër.
Në Polici raportuan se nga janari deri në shtator, 8 raste të posedimit të armëve të zjarrit dhe 30 të atyre të ftohta janë evidentuar mes të miturve.
Disa prej nxënësve të përfshirë në këso rastesh rezultojnë edhe përsëritës të vitit shkollor.
Vjet, një i klasës së dhjetë në një nga shkollat e Prishtinës u suspendua dhe u transferua në një tjetër shkollë, shkaku i posedimit të armës së zjarrit. Brenda muajit, edhe aty shkaktoi probleme dhe u bart edhe në dy shkolla të tjera, për t’u kthyer në atë fillestare. E sivjet, shkolla mori vendim ta përjashtojë, ngase i shkaktoi lëndime trupore një nxënësi.
Pas ankesës së nxënësit, Drejtoria e Arsimit rekomandoi shkollën që të rishqyrtohet vendimi për përjashtim nëse konsiderohet se nxënësi nuk paraqet rrezik sigurie për të tjerët, dhe nëse ka tregues të qartë se nxënësi është penduar për veprimet e mëhershme dhe zotohet se do të respektojë të gjitha procedurat dhe rregulloret e shkollës.
E kur shkolla ia mundësoi nënshtrimin e provimeve në afat të qershorit dhe të gushtit, ai nuk e kaloi vitin shkollor.
Zyrtari i lartë për arsim të mesëm të lartë në Komunën e Prishtinës, Hajzer Idrizi, ka treguar se ky nxënës ka parashtruar një varg ankesash edhe për vlerësim.
“Pas ankesës, Inspektorati i Arsimit (IA) i ka rekomanduar shkollës t’ia mundësojë nxënësit provimet e klasës në afatin e qershorit 2025. Shkolla ia ka mundësuar provimet e gushtit nga ku rezulton se nxënësi ka përsëritur vitin shkollor. Prapë pas ankesës, IA i ka rekomanduar shkollës t’ia mundësojë provimet në afatin e gushtit. Shkolla ia ka mundësuar provimet e gushtit... nxënësi ka përsëritur vitin shkollor. Pas ankesës së nxënësit, DKA-ja ka konstatuar se sipas rezultatit të treguar në provime, nxënësi përsërit vitin shkollor. Pas ankesës së përsëritur të nxënësit në Inspektorat, nuk e di çka kërkohet më tej, pasi nxënësi është përsëritës në klasën X dhe vitin tjetër mbush 18 vjet”, ka thënë Idrizi.
Në Inspektoratin e Arsimit theksojnë se nxënësi në ankesë është shprehur i pakënaqur me vlerësimin e shkollës dhe se ka kërkuar formimin e një komisioni të jashtëm për rivlerësim.
“Komisioni ‘ad hoc’ për shqyrtimin e ankesave dhe kërkesave në shkallë të dytë i IA-së, pasi ka shqyrtuar ankesën/kërkesën e parashtruar nga nxënësi ka nxjerrë vendim dhe ka obliguar DKA-në në Prishtinë që konform nenit 16, paragrafi 5 të Udhëzimit Administrativ nr.06/2022 për vlerësimin e nxënësve në arsimin parauniversitar, të rishqyrtojë dhe të vendosë lidhur me formimin e komisionit për rivlerësimin (riprovimin) e nxënësit”, kanë thënë në Inspektoratin e Arsimit.
Për të tilla raste, hulumtuesi në Institutin Pedagogjik, Selim Mehmeti, rekomandon të ofrohet mësimi joformal dhe riintegrimi, por thotë se sistemi arsimor nuk ka programe të mirëfillta për këtë kategori nxënësish.
“Nuk guxojmë që për hir të një individi, që përmes sjelljes së tij ose të saj, e dëmton klasën, a tash të shkojmë dhe të humbim një klasë të tërë, sepse është rreziku që njëshi të bëhet dysh, dyshi, tresh e ngadalë të bëhet numër treshifror i fëmijëve që krijojnë kësi problemesh. Duhet të punojnë profesionistët për të parë se cila është zgjidhja më adekuate për këtë kategori... Nuk kam dijeni shumë që kemi zhvilluar një program të mirëfilltë për riintegrim”, ka thënë Mehmeti. “Ke parasysh një fëmijë kur e përsërit klasën dhe duhet ta vazhdojë vitin tjetër, ndoshta në shkollën tjetër, ndoshta në klasën ku mundet me u bullizu, e të tjera. Çfarë nevoje ka ai fëmijë me pasë një program të riintegrimit, në mënyrë që profesionisti të punojë me të, mësimdhënësit punojnë më me kujdes e kështu me radhë. Kështu që, edhe në raport me qendrat korrektuese, do të duhej të ishte linja e njëjtë, ku jo vetëm pranimi i atyre fëmijëve, por edhe pjesa tjetër psikologjike dhe sociale, emocionale e fëmijëve është tepër e rëndësishme me pasë përkrahjen e profesionistëve”.
Mehmeti thekson se çështja e nxënësve përsëritës që mbushin moshën 18-vjeçare është e rregulluar vetëm në mënyrë të përgjithshme dhe se nevojitet rishikim i politikave.
E avokati Anton Nrecaj vlerëson se shteti ka dështuar në ofrimin e masave edukuese dhe në funksionalizimin e organeve të kujdestarisë për këta nxënës.
“Nëse e marrim një rast, situatën se si trajtohen në Kosovë dhe si trajtohen në një vend tjetër, po supozojmë në Britani të Madhe... në momentin kur fëmija ndeshet me ligjin dhe shkakton ndonjë vepër penale, automatikisht organi i kujdestarisë e merr nën mbikëqyrje dhe e trajton dhe monitoron në çdo hap. Natyrisht edhe barrën e përgjegjësisë së masave edukative, pra e dërgojnë në shkollë, por gjithnjë nën mbikëqyrje është ai fëmijë deri kur të përmirësohet përmes programeve të cilat i kanë brenda për brenda institucionit”, ka thënë Nrecaj. “Do të ishte më se e domosdoshme që të ndryshohet dhe plotësohet edhe ligji për shkak se në disa vende, në situata kur një fëmijë bie ndesh me ligjin dhe ai i njëjti fëmijë jeton me prindërit dhe është recidivist, vazhdimisht shkakton situata të tilla, prindërve u hiqet e drejta prindërore dhe atë fëmijë e merr nën përkujdesje shteti”.
Posedim të armëve nga të mitur, Policia ka raportuar edhe më 2024, kur ka evidentuar 18 raste të mbajtjes në posedim të armëve të zjarrit, e 80 të atyre të ftohta.