Për vite me radhë ka dëgjuar zërat e teatrove dhe sheshxhirimeve të filmave, mirëpo “zhurma” artistike e bashkimit të pjatës dhe shkopinjve ka qenë një ëndërr për të.
Ritmin e melodive të fuqishme tashmë nuk po e ndien nga pozita e spektatorit, por nga rrugëtimi i mësimit të baterisë.
Aktori Kushtrim Sheremeti është kandidati i parë në kursin e bateristit, Nesim Maxhuni.
“Është një ëndërr e parealizuar e imja për të marrë klasë për tupana, ndoshta 7-10 vjeç ka nisur pasioni për tupana, por që kurrë s’kam mund me mbërri me marrë klasë, e sidomos prej Nesimit që e kam shumë mik të mirë, njihemi qe 15-16 vjet”, ka thënë Sheremeti.
Në ambientet e lokalit “Zanzi Bar” rolet mes miqve janë ndërruar në mësues dhe nxënës, teksa Sheremeti me përkushtim po ndjek këshillat e Maxhunit.
“Jam i entuziazmuar, dhe s’po mundem ta paramendoj Nesimin si mësues timin për shkak të miqësisë sonë, a do të jetë i rreptë, a duhem ta dëgjoj përnjëmend seriozisht, i kam të gjitha këto pikëpyetje, por edhe jam ‘happy’”, tha ai.
Iniciativa për ofrimin e kurseve për mësimin e baterisë i kishte lindur Nesim Maxhunit qe një kohë të gjatë, i cili e kishte publikuar thirrjen për pjesëmarrje në llogarinë e tij në Facebook.
“Ideja ka qenë që në mbylljen e parë, kur e patëm para thuajse një viti ta gjallërojë pak skenën, por edhe veten sepse na ra morali, pjesa kreative e jona për shkak që nuk jemi mësuar me një gjendje të tillë. Rutina e jetës sonë, së paku e imja ka qenë punë, ‘night life’, dinamikë, studio, projekte, koncerte, të dalme, kurse dhe ajo krejt përnjëherë u zhdukën”, tha Maxhuni.
Me një bagazh profesional 20-vjeçar, këtë kurs ai e sheh si një mundësi të të qenit aktiv me instrumentin e tij të zemrës.
Mbi 100 persona i janë lajmëruar bateristit, i cili njëkohësisht është edhe i trajnuar për mësimdhënie. Nga ky numër i lartë ai ka përzgjedhur 18 persona për të vazhduar rrugëtimin me nga 40 minuta për secilin. Ndërkaq 5 persona do të jenë fatlumët, të cilët pas vlerësimit të Maxhunit do ta kenë mbështetjen e tij për një kohë të gjatë, ashtu siç ai thotë “sa të kem mundësi”.
Në anën tjetër, për nxënësin e tij të parë, Kushtrim Sheremeti, ai ka fjalë të veçanta.
“Ka qenë prej të parëve që është lajmëruar, më ka thënë bëma një vend se dua të vijë. Fillimisht kam qeshë, kam thënë a e kam unë këtë fat me pasë këso kandidati që do të kënaqem duke qeshë e duke bërë muhabet, e edhe duke luajtur tupana. Janë lajmëruar shumë muzicientë që ma kanë mbushur zemrën”, ka thënë Maxhuni.
Aktori Sheremeti tregon se si i sheh planet e kësaj sfide që ia ka vënë vetes.
“Pritshmëritë e mia janë që të mësoj sa më shumë, të mësoj t’i bie mirë tupanave, edhe s’besoj që do ta kthej në profesion apo ta ndërroj zanatin tim”, tha Sheremeti.
Kjo iniciativë e kursit falas nga Nesim Maxhuni do t’ua mundësojë të shohin një dimension ndryshe të artit muzikor.