Një akullore është ideja më e mirë e ditëve plot vapë të verës. Aq më tepër kur ajo shijohet në Shadërvanin e Prizrenit.
Qyteti jugor është mjaft i ngrohtë këto ditë edhe gjatë orëve të mbrëmjes.
Vapën përcëlluese e bën më të mundimshme frekuentimi i madh i rrugëve me kalldrëm, ndërsa të gjithë synojnë të gjejnë një mundësi freskimi.
E për ta bërë më interesant shijimin e akullores në shesh po kujdeset Zafer Dogan, i cili këtë vit ka ardhur nga Ankaraja.
Akullorja turke, e cila vjen nga qyteti Kahramanmaras, ka bërë rrugëtimin në Japoni, Kore të Jugut, Filipine, disa shtete të Afrikës e së fundmi është stacionuar edhe në Ballkan.
“Akullorja jonë prodhohet vetëm në Turqi dhe dallon nga të tjerat sepse është pa shkumë, me qumësht të dhisë dhe nga produkti i cili prodhohet në malet e Marashit, e që ne e quajmë ‘sahlep’, i cili nuk është i njohur edhe aq në vende të tjera të botës”, ka thënë Dogan.
Tradita familjare e nisur nga viti 1965 rreth shitjes dhe servisimit ndryshe të akullores, i merr goxha energji Zafer Doganit.
“Gjëja që më së shumti e duam është t’i shohim njerëzit duke buzëqeshur sepse bota po shkon duke vështirësuar. E pavarësisht kësaj, mundësia që t’i bëjmë ata të qeshin e të kënaqen na bën të lumtur. Kur ata kënaqen, edhe ne kënaqemi”, ka deklaruar ai.
Mirëpo, ka raste kur iniciativa e tyre për të bërë shaka me klientë mund të mos pritet mirë.
“Kur shkojmë në vende të reja ka njerëz të cilën nuk duan ta provojnë, mirëpo, pasi të mësohen me ne e të shohin se si po gëzohen të tjerët, e shohim se edhe në fytyrat e tyre ka buzëqeshje. Ne bëjmë shaka sipas interesimit të klientëve, nuk pëlqejmë të bëjmë shaka me më të vjetrit tanë, mirëpo kur ata mësohen me ne, vet kërkojnë që të marrin akulloret në mënyrë më gazmore sepse edhe ata e meritojnë lumturinë”, ka shpjeguar ai.
E në fytyrat e qytetarëve të pranishëm nuk munguan buzëqeshjet teksa provuan akulloren turke, të cilën e morën me plotë sfida.
Për njerëzit e Kosovës, gastronomi Zafer Dogan thekson se janë njerëz të hareshëm e ndihmëtar, teksa thotë se po ndihen të familjarizuar me pritjen në Prizren.