Prizreni është një nga qytetet më të bukura të Kosovës. Përveç kësaj, si monument i veçantë është edhe Kroi i Shatërvanit, që ndodhet në qendrën e vjetër të qytetit, ku vizitorët kanë mundësinë të ndalen për t’u freskuar.
Shatërvani është në listën e monumenteve të mbrojtura nga shteti. Ai është ndërtuar në shekullin XIX.
Bashkë me historinë për Shatërvanin ka edhe gojëdhëna - kush e pi ujin e tij martohet në Prizren.
Emin Sallahu, historian dhe ekspert në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, ka thënë se shatërvanët në të gjitha qytetet e Kosovës bartin pothuajse histori të njëjta, të cilat lidhen me takime dashurie.
“Shatërvanët në trevat e Kosovës pothuajse kanë një histori të përbashkët. Këto kanë shërbyer për të shuar etjen për banorë apo kalimtarët. Zakonisht këto burime të ujit kanë qenë në afërsi të xhamive, kishave, teqeve etj. Zakonisht ku ka frekuentim më të madh, ka edhe takime më shumë. Ka shumë raste që rastësisht janë takuar në ndonjë burim të ujit dhe e kujtojnë atë moment të parë që janë takuar si dy të rinj. Ndër më të njohura janë Shatërvani i Prizrenit, të Prishtinës, Vushtrrisë, Pejës etj. Shatërvanët janë ndërtuar nga shekujt 17-18. Uji në të gjithë shatërvanët është i rëndomtë, i thjeshtë, edhe pse qëndrojnë gojëdhëna se për shembull nëse pi ujë te Shatërvani në Prizren do të kthehesh përsëri aty. Në çdo qytet ka pasur një shatërvan apo burim të ujit, e ku janë takuar të rinjtë, pra aty janë takuar për herë të parë me njeri-tjetrin”, ka thënë ai.
Sallahu ka treguar se burimet e ujit edhe në fshatra kanë luajtur rol të rëndësishëm në njohjen e çifteve të reja.
“Siç janë çezmat në qytete, të njëjtin funksion e kanë pasur krojet në fshatra, por disi pak më ndryshe. Në kroje janë takuar të rinjtë, por edhe gratë më të moshuara kanë luajtur një rol në bashkimin e dy të rinjve. Aty është takuar ndonjë vajzë apo djalë dhe është interesuar ta bashkojë me ndonjë grua apo burrë. Këto kroje, burime të ujit, nuk mund të themi se janë të magjishme, thjesht ka qenë mundësia për t’u takuar më shumë njerëz. Sot nuk kemi vendndalime të tilla, por këto mbesin si rrëfime popullore, të cilat janë përcjellë brez pas brezi”, ka shtuar ai.
Mandete Bala-Arapi nga Rahoveci erdhi nuse në Prizren. Ajo tregon se asnjëherë nuk e ka menduar që do ta gjente fatin e jetës në Prizren.
“Jam i lindur e rritur në Prizren dhe në vitet ‘90 e kemi lënë Prizrenin për të jetuar në Gjermani. Në shkollë jam njoftuar me shoqen, si fëmijë kam dëgjuar për Shatërvanin, ku çdokush që pi këtë ujë martohet në Prizren. Kështu ndodhi rast i gjallë, bashkëshorten e kam nga Rahoveci dhe është martuar në Prizren, me mua, që jam i Prizrenit. Gruaja e ka pi ujin e Prizrenit dhe ka mbetur në Prizren. Me shekuj ekziston kjo që uji i Prizrenit i ndalë vajzat e Kosovës në Prizren”, ka thënë Arbnor Arapi.
“Në Prizren e kam kryer shkollën e mjekësisë, nga shatërvani kam kaluar gjithmonë. Në vitin 1991 jam martuar dhe jetojmë që sa vite në Gjermani, tash vetëm në pushim vijmë këtu, shumë na pëlqen. Shatërvani gjithmonë ka qenë në zë për ujin dhe çdokush e pëlqen me pi”, ka deklaruar Mandete Bala-Arapi.
Si i tillë Shatërvani është në listën e monumenteve që për çdo vit vizitohet nga turistë vendorë e të huaj.