Shumë shtëpi dallohen me kopshte të mëdha, me verandat (çardakët) e gjera të mbështjella me hardhi rrushi dhe me pamje nga jugu. Nga oborret e këtyre shtëpive zakonisht dëgjohet zhurmë e madhe e fëmijëve që lozin në to. Xhamitë e Prizrenit janë të shumta, por në 23 prej tyre ezani nuk thirret! Pamje të veçantë piktoreske, qytetit të Prizrenit i japin plepat e gjatë... Qyteti i Prizrenit është më i madh se Prishtina... Është për t’u habitur se vetë qyteti i Prizrenit ka më shumë banore femra sesa meshkuj!”, shkruante profesori bullgar Anastas Ishirkov në raportin ku përfshin edhe përshkimet për Tetovën, Gostivarin e Dibrën
Gjatë vizitës në Prizren, përveç përshkrimeve të qyteti, profesor Anastas Ishirkov ka afruar të dhëna edhe për gjendjen në tokat shqiptare që atëbotë (më 1916) ka mbretëruar midis aleatëve, pra Austrisë dhe Bullgarisë që në fakt i administronin ato.
“Ndërtesat në Prizren janë dëmtuar shumë, sepse ushtarët veçanërisht austriakët, në dimrin e kaluar e shfrytëzuan materialin ndërtimor të drurit për ngrohje! Kur Prizreni shihet nga Kalaja, atëherë në veçanti pamje të bukur ka lumi që e përshkon qytetin dhe përgjatë tij janë të ngritura disa ura që lidhin pjesët e veçanta të qytetit. Disa rrugë të gjera të lidhura me rrugët që çojnë në qytet, njëherësh janë arteriet kryesore të qytetit, por ka edhe rrugë të shumta të ngushta, të shtrembëruara dhe shpesh qorre, që njëkohësisht e plotësojnë rrjetin rrugor dhe karakterizojnë qytetin e tipit oriental, siç është Prizreni. Shtëpitë e këtij qyteti janë të mbuluara me tjegulla, të cilat me kalimin e kohës kanë marrë një ngjyrë kafe të errët. Shumë shtëpi dallohen me kopshte të mëdha, me verandat (çardakët) e gjera të mbështjella me hardhi rrushi dhe me pamje nga jugu. Nga oborret e këtyre shtëpive zakonisht dëgjohet zhurmë e madhe e fëmijëve që lozin në to. Xhamitë e Prizrenit janë të shumta, por në 23 prej tyre ezani nuk thirret! Pamje të veçantë piktoreske, qytetit të Prizrenit i japin plepat e gjatë... Qyteti i Prizrenit është më i madh se Prishtina... Është për t’u habitur se vetë qyteti i Prizrenit ka më shumë banore femra sesa meshkuj!”
Kufiri i përkohshëm austro-bullgar e ndan përgjysmë Vranishten
Sikur në shkrimet e mësipërme të autorëve të tjerë, po ashtu edhe në hulumtimin e profesor Anastas Ishirkovit, vërehet tendenca e kërkimit të justifikimit të okupimit bullgar të viseve të Kosovës përgjatë Luftës së Parë Botërore. Në rastin e qytetit të Prizrenit dhe sidomos rrethinave të tij, autorët bullgarë “shpëtim” kërkojnë sidomos te pakica e goranëve, por edhe siç i quan ky autor, të pomakëve. Ishrikov më tej ka shtuar se “duke e pasur parasysh gjendjen aktuale të Qarkut të Prizrenit, mund të themi se është shumë e vështirë që qyteti i Prizrenit mund ta mbajë pozitën e rëndësishme tregtare që e ka pasur gjithherë. Tani kufiri i përkohshëm austro-bullgar prej Qarkut të Prizrenit e ndan rrethin e Vranishtes, ndërsa për ne ky rreth është shumë i rëndësishëm, jo vetëm se Prizreni është qendër natyrore tregtare, por në rrethin e Vranshtes dhe të Gorës popullsia është pomake (pomakët janë popullsi e islamizuar që jeton në malet e Rodopeve në jug të Bullgarisë dhe në zonat e Greqisë veriore – S. L.). Pomakët e Gorës në shtëpi flasin bullgarisht, dhe meqenëse burrat shkojnë në kurbet kryesisht në Bullgari duke punuar si bozaxhi, ata e flasin edhe një dialekt tjetër bullgar - dialektin lindor”, ka përfunduar Ishirkov duke u nisur për në stacionin e radhës, për në Tetovë.
Ortodokset shqiptare nga Reka në pazarin e Gostivarit
“Në Tetovë, ose Kalkandelen, bullgarët jetojnë në malet e larta, ndërsa myslimanët jetojnë në rrafshina. Në katundet myslimane ekzistojnë konakët e mëdhenj të pashallarëve, në veçanti është mbresëlënës konaku i Haki Pashës. Ndërsa mbi Tetovë, në Ball Tepe, ngrihet një kala, e ngjashme me atë të Prizrenit për nga pozicioni, forma dhe qëllimi, e ndërtuar njëqind vjet më parë nga feudali Abdurrahman Pasha”, ka shkruar ai duke shtuar se “qyteti i Tetovës i ka rreth 3 000 shtëpi myslimane, 1250 ekzakiste bullgare dhe 150 patriarshiste serbe”.
Qëndrimi i Ishirkovit në tregun e Gostivarit është mbresëlënës, por fatkeqësisht ai nuk ka shkruar më gjerë për shqiptaret e besimit ortodoks që i ka takuar në pazarin e këtij qyteti.
“Gostivari e zë pozitën qendrore ndërmjet Tetovës, Kërçovës dhe Dibrës dhe në të zhvillohet një pazar i madh, veçanërisht për ushqimet, drithërat, mallra koloniale dhe prodhime punëdore. Qyteti është tërësisht mysliman shqiptaro-turk. Më herët në Gostivar kishte vetëm 30 shtëpi bullgare, por jeta e pasigurt në disa zona shqiptare e ka nxitur migrimin e popullsisë, dhe tani në Gostivar janë 70 familje bullgare, që janë grumbulluar pothuajse në një lagje të vetme. Në Gostivar, ishim në ditën kur në Maqedoni po festohej përvjetori i Kryengritjes së Ilindenit. Në kishën e vogël bullgare ‘Shën Dhimitri’ që ndodhet jashtë qytetit të ngritur në vitin 1847, e patëm rastin t’i shihnim kostumet e femrave nga më të ndryshmet. Bile këtu takuam edhe gra shqiptare ortodokse nga Reka! Më 3 gusht, zbritëm rrugës buzë lumit të Mavrovës, degës së Radikës. Në të djathtë i pamë rrënojat e fshatit shqiptar Tarnicë, të shkatërruar nga serbët. Përndryshe lugina e Radikës është e ngushtë dhe aty nuk mund të zhvillohen kushtet normale të jetesës, prandaj mu për këtë kjo luginë është e shkretë. Në Luginën e Radikës aty-këtu kishte fshatra të vogla që ishin të vendosura në shpatet përreth. Shtëpitë përballë luginës janë të ndërtuara fort, shpesh trekatëshe dhe njëkatëshe të mbështetura për shpatet e luginës. Shumica e fshatrave shtrihen më lart në një tarracë më të gjerë të formuar nga rrëshqitja e malit. Popullsia e këtyre fshatrave është shqiptare, pomake dhe bullgare. Ndërsa banorët e këtyre fshatrave e sigurojnë bukën e gojës duke punuar në kurbet”.
Xhamia e Dibrës e kthyer në kishë
Prof. Anastas Ishirkov hulumtimin e tij e ka përfunduar në qytetin e Dibrës dhe ndër të tjera ai ka shkruar: ”Qyteti i Dibrës ndodhet i shtrirë brigjeve të malit të Kirçinit dhe ky qytet shtrihet në formën e amfiteatrit, ndërsa një pjesë e Dibrës shtrihet në rrafshinë. Në vitin 1915, nën pretekstin se dikur turqit e kishin bërë të njëjtin veprim, serbët në Dibër e kthyen njërën prej xhamive të këtushme në kishë duke e emëruar atë në ‘Kisha e Shën e Premtes!’”
“Në Dibër ka shumë pronarë të pasur çifligjesh. Popullsia e Dibrës është kryesisht shqiptare-myslimane, më pastaj turke dhe cigane. Sipas statistikave që mora nga kryetari i qarkut, Dibra tani i ka 8001 banorë, prej të cilëve 2 688 janë shqiptarë, 2 820 turq, 1 912 bullgarë, dhe 581 ciganë. Edhe në Dibër, si kudo në Maqedoninë Perëndimore dhe Veriore, shumë shqiptarë e quajnë veten turq, megjithëse nuk dinë asnjë fjalë të vetme turke! Ndërsa kufiri i Shqipërisë, tani i territoreve të pushtuara nga Austria, shkon shumë afër Dibrës, gjegjësisht 5 kilometra në veriperëndim të qytetit. Ky kufi është veçanërisht i panatyrshëm në luginën e Drinit të Zi në veri të Dibrës”.
Raportin e tij lidhur me vizitat në viset shqiptare të plotësuar me një pjesë të shënimeve të mësipërme, prof. Anastas Ishirkov e ka dorëzuar në Sofje më 14 nëntor 1916.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë. Për urinë në tokat shqiptare në vitet 1915 – 1918 e për shqiptarët dhe nacionalizmi i tyre