SOT

Ura më e vjetër e qytetit të Vushtrrisë

Ashtu si vetë qyteti i Vushtrrisë, edhe monumentet e tij janë të vjetra dhe të mbushura me histori e traditë.

Një nga më të njohurat është Ura e Gurit, një ndërtim që i ka rezistuar kohës, duke ruajtur jo vetëm vlerat arkitektonike, por edhe ato kulturore dhe legjendare.

Historiani Izet Miftari tregon se përveç rëndësisë historike, kjo urë është e shoqëruar edhe me legjenda që ngjasojnë me atë të njohur të Kalasë së Rozafatit.

“Jemi këtu të Ura e Gurit në Vushtrri, një qytet i vjetër me monumente po aq të vjetra që i kanë rezistuar kohës. Edhe kjo urë e ka historinë e vet, madje edhe legjendën si Ura e Rozafatit. Në disa legjenda haset edhe si Ura e Qumështit, sepse këtu besohet se është muros një grua, e cila ka kërkuar një mundësi për ta ushqyer djalin, prandaj edhe e ka marrë këtë emër”, thotë Miftari.

Ashtu si shumë monumente të trashëgimisë kulturore në Kosovë, edhe historia e Urës së Gurit ka qenë objekt manipulimesh.

Sipas Miftarit, gjatë një restaurimi në vitin 2017, doli në pah një pjesë e së vërtetës që për vite ishte lënë në hije.

“Kjo urë deri në vitin 2017 ka pasur mbi dhe 9 harqe, mirëpo që në vitin 2002, pata bërë një shkrim gjykuar nga disa fotografi historike të vjetra e të dhëna më parë, thuhej se ura i ka pasur 12 harqe dhe kur Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve, po i rinovonte disa prej harqeve të tjera rastësisht i zbuloi edhe dy harqe të tjera, andaj sot ura i ka 11 harqe. Fatkeqësisht sikur në çdo ngjarje e monument të trashëgimisë kulturore, sidomos në ato të kulteve fetare, bëhen përpjekje që t’u jepen atribute serbëve, madje në historiografinë serbe kjo urë figuron si ura e vëllezërve Vojnoviq me 9 harqe. Tash kjo teori bie, sepse ura i ka 11 harqe dhe në këndvështrimin e historiografisë serbe, këtë urë kinse e paskan ndërtuar tre vëllezërit serbë, mbetet thjeshtë një përpjekje për ta falsifikuar të vërtetën e kësaj ure”, deklaron ai.

Ura e Gurit është bërë një atraksion i rëndësishëm turistik dhe edukativ. Ajo vizitohet rregullisht nga nxënës të shkollave nga e gjithë Kosova.

Por, ajo çka të bie në sy menjëherë është mungesa e lumit Sinnica që dikur kalonte në të. 

“Kjo urë është e gjatë 160 metra. Është e ndërtuar me 4 lloje të harqeve. Shpesh ju shpjegoi edhe nxënësve për këtë urë dhe pyetja që ua bëjë është çfarë po i mungon urës. Urës pra siç edhe e shihni i mungon lumi. Sepse më parë ka kaluar nën këtë urë lumi Sitnica. Më vonë për shkak të erozionit, lumi gradualisht ka kaluar në pjesë të tjera dhe sot ura ka mbetur kështu e thatë”, shton Miftari.

Përveç rëndësisë së saj historike dhe arkitektonike, Ura e Gurit ka marrë edhe një dimension simbolik bashkëkohor. Ajo është bërë një vend i preferuar për çiftet e reja që e shohin urën si simbol të lidhjes së qëndrueshme dhe dashurisë së përjetshme.