Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Euro 2020

Loew largohet për t’ia lënë në dorë Flickut riparimin e Gjermanisë

Joachim Loew largohet pas 15 vjetësh nga posti i përzgjedhësit të Gjermanisë duke lënë pas vetes një ekip që i mungon besimi. Pasardhësi i tij Hansi Flick tashmë është nën presion për t’i kthyer gjërat në vendin e vet përpara Kampionatit Botëror të vitit të ardhshëm që mbahet në Katar. Gjermanët u eliminuan nga “Euro 2020” pas një paraqitjeje zhgënjyese në humbjen 2:0 në 1/8 finales ndaj Anglisë të martën në Londër”, e cila ishte ndeshja e 198-të dhe e fundit për Loewin në krye të Gjermanisë. Rekordi i tij prej 124 fitoreve, 40 barazimeve dhe 34 humbjeve që nga viti 2006 është mbresëlënës. Megjithatë figurat maskojnë realitetin e lotëve në zhveshtoren e Gjermanisë në stadiumin “Wembley” pas humbjes së fundit të dhimbshme, ndërsa edhe një herë Gjermania nuk arriti t’i finalizojë rastet e saj që i kushtuan me eliminim. Loew kishte fitoren më të thellë në Botërorin e vitit 2014, kur në gjysmëfinale e mposhti Përfaqësuesen e Brazilit me rezultatin 7:1. Mirëpo mandati i tij u njollos katër vjet më vonë në Botërorin e mbajtur në Rusi. Gjermania u eliminua në fazën e grupeve, pasi përfundoi e fundit në grup, dëshpërim ky që ende ndjek gjermanët.

“Në këta 15 vjet kishte shumë gjëra që ishin shumë pozitive”, këmbënguli Loew, 61-vjeçar. “Ne jemi zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme pasi e fituam titullin e Botës në vitin 2014 dhe pastaj Kupën e Konferedatës në vitin 2017, me një ekip të ri. Ka pasur momente që janë të paharrueshme”.

Megjithatë, Loew e pranoi që ekipi i tij kishte përjetuar “disa probleme që nga viti 2018” dhe se kishte pasur “shumë periudha të vështira” si humbja e paharrueshme 6:0 nga Spanja nëntorin e kaluar në Ligën e Kombeve, e cila nxiti vendimin e tij për t'u larguar. Zëvendësuesi i tij, ndihmësi i dikurshëm, Hansi Flick, trashëgon një skuadër që ende ka nevojë për t’u kthyer në rrugën e duhur sa i përket kualifikimit në Kampionatin Botëror “Katari 2022”, sidomos pas humbjes tronditëse që e pësoi në shtëpi në eliminatore nga Maqedonia e Veriut në muajin mars. Kur sulmuesi Thomas Mueller e humbi një mundësi të artë për të barazuar rezultatin ndaj Anglisë në “Wembley” në minutën e 81-të duke gjuajtur jashtë portës edhe pse ishte i vetëm përballë portierit Jordan Pickford, konfirmoi vështirësitë e Gjermanisë që ka pasur kohët e fundit me finalizimin e rasteve. Fitorja 4:2 në fazën e grupeve kundër Portugalisë ishte vetëm falë dominimit të Gjermanisë në zotërimin e topit, aftësi që është përpjekur vazhdimisht ta përdorë në vitin e fundit. Mirëpo Gjermania sigurisht se ka lojtarë të talentuar. Siç thotë Loew, liderët e rinj si Joshua Kimmich dhe Leon Goretzka “do të bëjnë një hap të madh përpara në dy ose tre vjetët e ardhshëm dhe do të jenë në kulmin e formës së tyre në vitin 2024”, kur Gjermania do të jetë organizatore e Kampionatit Evropian të ardhshëm. Megjithatë Flick pritet të marrë një ekip në Kupën e Botës që do të jetë së paku konkurrues. Një fitore bindëse në ndeshjen e tij të parë në krye të Gjermanisë, që do të luhet më 2 shtator kundër Lihtenshtajnit, do të ishte një fillim i mirë për ish-trajnerin e Bayern Munichut. Titulli i gazetës “Berliner Zeitung” ishte i zymtë pas humbjes nga Anglia, ku shkruante se “Loew i lë pasardhësit të tij një trashëgimi të komplikuar”.

Loew trajtoi dhe e udhëhoqi kombin e tij të çmendur pas futbollit me sukses të qëndrueshëm deri në Kampionatin Botëror të vitit 2018, kështu që rënia e Gjermanisë nga ky vit ka qenë shumë e vështirë për tifozët gjermanë. Aktualisht Gjermania zë vendin e 12-të në ranglistën botërore të FIFA-s, të cilës dikur i printe.

“Ambicia, vullneti, shpirti luftarak i mungoi Gjermanisë”, tha ish-fituesi i Kupës së Botës me Gjermaninë në vitin 2014, Lukas Podolski. “E gjitha u duk kaq e zymtë. Këtë dështim dhe zhgënjim më së miri e pasqyruan fytyrat e lojtarëve”.

Edhe Dështimi i përfaqësueses U21 rrit presionin mbi Gjermaninë Sport Dështimi i përfaqësueses U21 rrit presionin mbi Gjermaninë

Sa i përket të ardhmes së Gjermanisë, Podolski nuk është aq optimist dhe pranoi se ka frikë.

“Nuk është se kemi dhjetë lojtarë të tjerë që nuk u zgjodhën, por duhej të ishin atje. E ardhmja do të jetë e vështirë”, pranoi ai.

Flick, i cili udhëhoqi Bayernin drejt “tripletës” në edicionin 2019/20, është i vendosur ta kthejë Gjermaninë në rrugën e duhur.

“Unë e shoh klasin e lojtarëve, veçanërisht të rinjtë që i kemi. Kështu që, ne kemi çdo arsye për t'iu qasur turneve të ardhshëm me optimizëm të madh”, tha Flick.

Edhe Gjermania ka harruar si fitohet kur ka mbetur edhe një vit deri te “Euro 2024” Sport Gjermania ka harruar si fitohet kur ka mbetur edhe një vit deri te “Euro 2024”

Detyra e Flickut te Gjermania tashmë është e qartë, ndonëse ende nuk ka nisur mirë.

“Ne kemi një synim të madh të përbashkët - të kthehemi në majën e botës”, insistoi drejtori i Përfaqësueses së Gjermanisë, Oliver Bierhoff.