Kosova ka pasur më pak se gjysmë milioni turistë vitin e shkuar, ndërkaq trendi nuk ka ndryshuar as sivjet. Një numër turistësh treguan se për vizitë morën rekomandim në rrjete sociale, dhe jo nga ndonjë fushatë organizuar nga shteti. Ekspertët e shohin turizmin si mundësi, jo vetëm për zhvillim ekonomik, por edhe për eliminimin e paragjykimeve negative që të huajt kanë për Kosovën. Ata kërkojnë nga institucionet mbështetje për këtë industri, ashtu siç kanë vepruar disa vende të rajonit
Te shkallët që shpien drejt objektit të Bibliotekës Kombëtare ndalon me aparatin fotografik në dorë turisti nga Kina, Shunda Huang. 29-vjeçari nga Shangai, i pasionuar pas udhëtimeve e fotografisë, i kërkon këndet më të çuditshme të ngrehinës brutaliste e përshtypje të veçantë i bënë kupolat e saj.
Huang thotë se Kosovën e vizitoi pasi për të u informua nëpërmjet rrjetit social kinez, “Redbook”, i cili shërben kryesisht për publikim fotografish.
“Udhëtoj nëpër botë dhe jam i interesuar që t’i vizitoj të gjitha shtetet në botë. Në Kinë e kemi një rrjet social që quhet ‘Redbook’ i ngjashëm me ‘Instagramin’ dhe disa njerëz aty ma rekomanduan këtë vend”, tregon Huang.
Por përveç rekomandimeve që ka marrë dhe sugjerimeve nëpër forume udhëtimi, ai thotë se Kosova nuk zë shumë vend në broshura turistike.
“Kur kërkova për Kosovën në internet, në rrjetin social kinez ‘Redbook’ fjalët kyç që u shfaqën ishin: E pastër dhe miqësore”.
Për të hyrë në Kosovë, Huang e shfrytëzoi një vizë Shengen të lëshuar nga Franca, teksa më herët ka qëndruar për vizitë në Maqedoninë e Veriut.
“Tanimë kam qenë në Shqipëri dhe në Maqedoni javën e kaluar dhe e pashë që është shumë më pastër sesa kam menduar kur erdha këtu”, shprehet turisti nga Kina.
Krahas pastërtisë, Huang thotë se më së shumti i kanë pëlqyer monumentet si edhe gjallëria nëpër sheshet e Prishtinës, e veçmas njerëzit që i dalin në ndihmë lidhur me orientimin në qytet.
“Mendoj, një gjë tjetër që kam vërejtur është se njerëzit këtu janë shumë miqësorë, për shkak se unë nuk kam Wi-Fi (v.j. internet në telefon) dhe as kartë SIM dhe njerëzit më ndihmojnë t’i gjej vendet atraktive”.
Mungesa e stimujve për operatorët turistikë
Nga një llogari në rrjete sociale e deri te shkallët që shpien te Biblioteka Kombëtare, rruga e turizmit në Kosovë shpesh varet nga rastësia.
Baki Hoti, kryetar i Unionit të Turizmit në Kosovë, shprehet kritik për mungesën e një planifikimi shtetëror në rrafshin e turizmit.
“Kosova duhet ta ketë prioritet turizmin dhe duhet të investojë në turizëm, duhet të investojë në infrastrukturë, duhet të investojë në politika stimuluese, në politikat të cilat lehtësojnë të bërit biznes në industrinë e turizmit”, thotë Hoti.
Ai thotë se vizitat që realizohen nga turistë prej vendeve të largëta zakonisht janë pjesë e turneve më të gjera ballkanike dhe rrallë e kanë destinacion veç Kosovën.
Këtë ai e kualifikon si hap pozitiv për përfaqësimin e vendit, porse thotë që Kosova mbetet ende larg të qenit destinacion më vete.
“Pra, një grup nga shtetet aziatike nuk vjen ta vizitojë vetëm Kosovën. Por vjen ta vizitojë Ballkanin, ku këto vizita janë diku dhjetë deri dymbëdhjetë ditë. Dhe ne kemi arritur që ta përfshijmë edhe Kosovën në këto paketa ballkanike dhe evropiane, ku tashmë edhe Kosova është e përfshirë dhe vizitorët qëndrojnë në dy deri në tri ditë dhe ky është një rezultat shumë pozitiv”.
Megjithëkëtë, përfshirja në pakot turistike rajonale mbetet më shumë një mundësi e shfrytëzuar pjesërisht sesa një sukses i planifikuar.
Sipas Hotit, problemet strukturore e mbajnë Kosovën larg konkurrencës reale me shtetet fqinje, veçanërisht kur bëhet fjalë për politikat fiskale dhe për mbështetjen institucionale për industrinë e turizmit.
“Ne kemi kërkuar qe sa vite zbritjen e TVSH-së për pjesën e akomodimit, që është tetëmbëdhjetë për qind, me atë 18 për qind standardja me akomodim, të gjitha shtetet e tjera e kanë TVSH-në më të ulët të akomodimit në raport me TVSH-në standarde. Të gjitha. Dhe Kosova e ka të njëjtë, dhe kjo ndikon në paketën turistike pastaj, për atë kemi një çmim jashtëzakonisht të lartë të akomodimit”, thekson Baki Hoti – kryetar i Unionit të Turizmit.
Problematikë, sipas tij, janë edhe mungesa e stimujve për operatorët turistikë që sjellin vizitorë nga jashtë, si dhe politikat e qarta për ta bërë Kosovën më të qasshme nëpërmjet transportit ajror.
“Çështja tjetër është subvencionimi i tour-operatorëve që sjellin turistë në Kosovë, siç e ka për shembull modeli i Maqedonisë së Veriut, ku për çdo turist që ia çon një agjenci turistike në Maqedoni, nga nata e dytë, nga shteti i merr katërmbëdhjetë euro. Kosova nuk e ka. Pastaj, ne kemi kërkuar nga institucionet që të shikojnë mundësinë të fillojnë diskutimet me aviokompanitë, të cilat po operojnë me çmime të lira, që të aterrojnë në aeroportin ‘Adem Jashari’. Shihe se çfarë po bëjnë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Kosovës nuk po e shfrytëzojnë aeroportin ‘Adem Jashari’, po e shfrytëzojnë aeroportin e Shkupit ose Tiranës, për shkak të çmimeve më të lira”.
Identiteti turistik
Edhe pse sot Kosova përpiqet të krijojë një identitet turistik në konkurrencë me vendet e rajonit, përpjekjet për ndërtimin e një industrie mikpritjeje nuk janë të reja.
Profesori Zekë Çeku, i cili ka qenë drejtor i hotelit “Grand” para dhe pas luftës, kujton se gjatë viteve 70, kur Kosova ka qenë pjesë e ish-Jugosllavisë, janë bërë përpjekjet e para serioze për krijimin e infrastrukturës turistike.
Asokohe u patën ndërtuar disa hotele me standarde të larta për kohën, si “Grandi” në Prishtinë dhe “Narcisi” në Brezovicë, si dhe u zhvilluan kapacitete fillestare për turizëm dimëror.
Por ai thotë se, në atë kohë, vizitorët kryesisht kanë qenë nga shtetet e tjera jugosllave dhe qarkullimi ka qenë më shumë rajonal sesa ndërkombëtar.
“Ka qenë kryesisht qarkullimi brenda ish-Jugosllavisë, mirëpo për disa çështje për shembull turizmin dimëror, Kosova ka qenë mjaft e ngritur me ngritjen e kapaciteteve në Brezovicë, ka qenë një ndër hotelet më të mira në këtë pjesën jugore të Jugosllavisë, në Brezovicë, hoteli ‘Narcis’, për shembull, pastaj është zhvillu edhe turizmi dimëror është zhvillu mjaft turizmi kulturor, kryesisht vizita këtyre manastireve, turizmi urban që quhet, turizmi urban shuhet si vizita qyteteve: Prishtina, Prizreni, Peja edhe në atë kohë kanë qenë mjaft të vizituara dhe do të thotë kryesisht kanë qenë këto edhe turizmi manifestiv në kuadër të ish-Jugosllavisë”, shprehet Çeku.
Bazuar në të dhënat zyrtare të Agjencisë së Statistikave, gjatë marsit të sivjetmë Kosovën e kanë vizituar 25 mijë e 173 turistë të huaj, të cilët kanë realizuar gjithsej 50 mijë e 867 net qëndrimi. Në shkurt shifrat kanë qenë më të larta: 27 mijë e 769 vizitorë e 55 mijë e 786 net qëndrimi. Për vitin 2024, ASK-ja evidentoi 423 mijë vizitorë dhe 827 mijë net qëndrimi në total.
Por këto të dhëna nuk përputhen gjithmonë me përvojën në terren.
Sipas profesorit Çeku, ekziston një hendek mes realitetit që e shohin akterët e turizmit dhe asaj që raportohet nga institucionet.
Qëndrim të njëjtë shpreh edhe kryetari i Unionit të Turizmit, Hoti, tek e vë në dyshim saktësinë e metodologjisë së matjes dhe të burimeve të raportimit.
Megjithëkëtë, Çeku thekson se roli i turizmit në ekonomi është i padiskutueshëm dhe me ndikim zinxhiror në shumë sektorë.
“Turizmi e ka atë funksion multifunksional, multivlerë, sepse me turizmin përfitojnë shumë sektorë të tjerë ekonomikë, ndërtimtaria, industria e ushqimit, infrastruktura rrugore, infrastruktura komunale, nga gjithë këto tregtia fiton prej turizmit, të gjitha këto janë degë të ekonomike, të cilat drejtpërsëdrejti përfitojnë prej turizmit”.
Paragjykimet për Kosovën
Përtej të dhënave statistikore, një tjetër sfidë për turizmin është perceptimi i vizitorëve për Kosovën që rëndom formohet nga burime të pasakta, të ndikuara politikisht apo të mbushura me paragjykime.
Sipas Çekut, platforma të mëdha ndërkombëtare si Google shpesh japin informacione të dominuara nga narrativi i vendeve fqinje, veçanërisht Serbia.
Në mungesë të përmbajtjeve zyrtare të krijuara nga institucionet kosovare, ai thotë se përvoja e parë e shumë vizitorëve është e ndërtuar mbi frikën.
“Njerëzit që vijnë ndoshta edhe ngurrojnë shumë të vijnë në Kosovë, për arsye se në informata më shumë, Google apo ku di unë, platforma tjera që janë më të njohura në botë, më shumë ka dezinformata të Serbisë sesa informata të vlefshme që çon Akademia jonë e Shkencave, ndonjë universitet ose ministria. Aty është hendeku, aty është defekti më i madh. A beson, nëntëdhjetë e pesë për qind prej vizitorëve që vijnë në Kosovë për herë të parë vijnë me skepticizëm në Kosovë, sepse kanë lexuar atje se ju vonojnë, ju vjedhin, ju maltretojnë, ju keqpërdorin, mundeni të helmoheni, a beson të gjitha këto, asnjëra e saktë nuk është”.
E me gjithë skepticizmin fillestar, përvoja në Kosovë për shumicën e vizitorëve rezulton krejtësisht ndryshe.
Sipas përfaqësuesve të sektorit të turizmit, ajo që e ndryshon bindjen nuk është ndonjë kampanjë promovuese, por vetë kontakti i drejtpërdrejtë me njerëzit.
“Është shumë interesant që shumica e vizitorëve, të cilët vijnë në Kosovë, sidomos për herë të parë, vijnë me një përshtypje sikur kanë frikë, sikur mendojnë që siguria nuk është e mirë, sikur mendojnë që ne jemi njerëz arrogantë, sikur mendojnë që në rregull, hajde shkojmë ta shohim – por nuk presin diçka shumë. Ndërsa kthehen me një përshtypje krejt të kundërt. Për mikpritjen, të cilën ne si Kosovë, si shqiptarë e kemi – që nuk e besoj që ka asnjë popull tjetër – pra një mikpritje të ngrohtë dhe miqësore, për ushqimet tradicionale që i kemi, për çmimet e lira që i kemi në krahasim me shtetet e Bashkimit Evropian dhe për vendet e bukura të natyrës dhe trashëgimisë kulturore që i kemi”, thotë Baki Hoti, kryetar i Unionit yë Turizmit.
E për Zekë Çekun, faktori njeri është elementi më i rëndësishëm që e mban turizmin gjallë në Kosovë.
“Njerëzit tonë fatbardhësisht janë vlera më e madhe që e ka turizmi kosovar. Po them ndoshta jo shumë të edukuar profesionalisht, po ne e kemi atë traditën, një mikpritje tradicionale. Mendjehapur, njerëzit tanë janë shumë mendjehapur dhe shërbyes, për shembull, kafenetë, restorantet e tjera tek i presin mirë, i shërbejnë mirë, ju flasin ndonjë për shembull, ndonjë informatë në rrugë askund në botë nuk i gjen, njeriun në rrugët tona të Prishtinës sot, të Kosovës, është në gjendje të shkojë një kilometër, të tregojë diçka”, bënë të ditur eksperti i turizmit, Zekë Çeku.
Kujtimet e fëmijërisë për Nënën Terezën
Në verën e 2024-s, Kosova e ka miratuar Strategjinë për Turizmin 2024–2030, një dokument që parasheh ndërtimin e infrastrukturës për turizëm të qëndrueshëm, për shtigje biçikletash, për standardizim të shërbimeve dhe për promovim ndërkombëtar të vendit si destinacion. Mirëpo, më shumë se një vit pas miratimit, nuk është e qartë se çfarë është realizuar.
Që nga e hëna, KOHA i është drejtuar Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë me pyetjet konkrete nëse janë përmbushur objektivat për vitin 2024 dhe muajt e parë të vitit 2025, se sa euro janë investuar nga shuma e paraparë në strategji dhe nëse po ecin punët, sipas planit të veprimit? Por deri më tani nuk ka marrë përgjigje në asnjë prej këtyre pyetjeve.
Me gjithë heshtjen institucionale, turistët vazhdojnë ta frekuentojnë Kosovën, të shtyrë më shumë nga kureshtja dhe rastësia, sesa nga ndonjë promovim zyrtar.
Në qendër të Prishtinës, afër katedrales “Nëna Terezë”, Eva Langir nga Polonia po e realizon ndalesën e radhës në kuadër të udhëtimit të saj në Kosovë.
“Natyrë e bukur, ne ishim në male në Pejë, tash jemi këtu në Prishtinë, pastaj do ndalemi në Prizren dhe deri tash po na pëlqen”, tregon Langir.
Pak metra larg saj, Ben Sen nga Tajvani e pati një arsye më personale përse e përjetoi ndryshe vizitën në Katedralen e Prishtinës.
“Më pëlqen historia e Nënës Terezë, për shkak se edhe unë jam i krishterë, pra katolik. Tek hyra në kishën ‘Nëna Terezë’ m’u shfaqën kujtimet e fëmijërisë, kur lexoja për Nënën Terezë”, rrëfen tajvanezja Sen.
Ata, sikurse Shunda Huang nga Kina, nuk e vizituan Kosovën për shkak të ndonjë fushate shtetërore.
U joshën për ta nisur këtë udhëtim nga aplikacionet, forumet, fotografi a rrëfime rasti.
E në kthimin drejt vendeve të origjinës, thonë se do të marrin me vete përshtypje krejt ndryshe prej atyre që fillimisht i solli në Kosovë.
Nga Biblioteka Kombëtare deri te bujtinat në Brezovicë, Kosova mbetet vend ku mikpritja shpesh i mbulon boshllëqet institucionale.
Diku në Shangai mbase edhe do të shfaqet ndonjë fotografi e Bibliotekës Kombëtare të Prishtinës, e ngarkuar nga Shunda Huang në Redbook dhe e përcjellë me një përshkrim që nuk është shkruar me planifikim shtetëror, por që rezulton se vlen më shumë se çdo plan i parealizuar.