Një grup i shkencëtarëve të njohur në botë ka paralajmëruar FIFA-n se masat aktuale të sigurisë nga nxehtësia për Kupën e Botës në futboll janë “të pamjaftueshme” dhe mund t’i vënë lojtarët në rrezik për lëndime serioze.
Në një letër të hapur, ekspertë të jashtëm ndërkombëtarë të shëndetësisë, klimës dhe performancës sportive thonë se udhëzimet e shtëpisë botërore të futbollit nuk janë në përputhje me shkencën aktuale dhe janë “të pamundura për t’u justifikuar”, shkruan BBC të enjten.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoShkencëtarët i bënë thirrje FIFA-s të prezantojë mbrojtje më të forta, duke përfshirë pushime më të gjata të freskimit dhe protokolle më të qarta për shtyrjen e ndeshjeve në kushte ekstreme të nxehtësisë.
Temperaturat e larta pritet të jenë problem për turneun në SHBA, Kanada e Meksikë. Studiuesit paralajmërojnë se temperaturat në 14 nga 16 stadiumet e Botërorit mund të kalojnë në nivele të rrezikshme.
Në pjesë të SHBA-së jugore dhe Meksikës veriore, temperaturat mund të shkojnë deri në 40 gradë Celsius gjatë periudhave më të nxehta. Kur merren në konsideratë temperatura, lagështia, shpejtësia e erës dhe forca e dritës së diellit, lojtarët në këto qytete të Kupës së Botës janë në rrezikun më të madh për të përjetuar nivele ekstreme të stresit nga nxehtësia në trup, thonë studiuesit.
FIFA ka thënë se është e “përkushtuar për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e lojtarëve, gjyqtarëve, tifozëve, vullnetarëve dhe stafit” dhe se rreziqet që lidhen me klimën vlerësohen pjesë e planifikimit të Botërorit.
Si pjesë e “angazhimit për mirëqenien e lojtarëve”, FIFA ka përfshirë pushime të detyrueshme treminutëshe për freskim në secilën pjesë të ndeshjeve, pavarësisht kushteve atmosferike.
Do të ketë ulëse me klimë të kontrolluar për stafin teknik dhe rezervistët në të gjitha ndeshjet në stadiume të hapura.
Nëse vlerësohet se kushtet janë të tilla që “stresi i nxehtësisë” të bëhet shqetësim i rëndësishëm për sportistët, FIFA parasheh që “organizatorët e ndeshjeve të bien dakord se çfarë masash paraprake duhet të merren për të parandaluar shfaqjen e çdo sëmundjeje të lidhur me nxehtësinë”.
FIFA thotë po ashtu se ka planifikuar masa për tifozët në ndeshje kur parashikimet tregojnë temperatura të larta. Tifozët do të lejohen të kenë shishe uji, ndërsa qytetet organizatore do të ofrojnë ftohje shtesë, duke përfshirë zonat me hije, autobusë të freskët dhe shpërndarje të zgjeruar të ujit.
20 ekspertët që kanë nënshkruar letrën përfshijnë akademikët kryesorë nga Mbretëria e Bashkuar, SHBA-ja, Kanadaja, Australia dhe vende të tjera të Evropës.
Ata duan që FIFA të rishikojë urgjentisht qasjen duke përfshirë: shtyrjen e ndeshjeve kur temperaturat janë të larta, pushime për freskim prej të paktën gjashtë minutave, pajisje të përmirësuara freskimi për lojtarët, përditësime të rregullta të udhëzimeve bazuar në shkencë.
FIFA-s i është bërë thirrje që të miratojë standardet e propozuara nga sindikata e lojtarëve, Fifpro.
“Siguria e lojtarëve është shqetësim urgjent sepse gjërat mund të shkojnë keq shumë shpejt kur njerëzit nxehen shumë. Jemi të shqetësuar se FIFA po luan në mënyrë të pakujdesshme me shëndetin dhe sigurinë e lojtarëve”, ka thënë për BBC, Andrew Simms, drejtor i Instituti të Motit të Ri, që e ka kordinuar letrën.
Matjet kanë dëshmuar se lojtarët dhe tifozët përballen me një rrezik shumë më të lartë të nxehtësisë dhe lagështisë rraskapitëse se në Kupën e Botës 1994 që po ashtu ishte mbajtur në SHBA.
FIFA nuk ka komentuar direkt letrën dhe pretendimet e shkenctarëve, por ka thënë “se do të përdorë një model me nivele të zbutjes së nxehtësisë në Botëror, me masa të përshtatura për kushtet në kohën reale”.