Futboll

Në Botëror do të ketë pushime treminutëshe për të pirë ujë

Uji Boteror

Federata Ndërkombëtare e Futbollit ka thënë se do të përfshijë pushime treminutëshe në secilën pjesë të ndeshjeve në Kupën e Botës që mbahet vitin e ardhshëm në SHBA, Kanada e Meksikë. 

Këto pushime do të bëhen që lojtarëve t’u mundësohet pirja e ujit. Dhe pushimet treminutëshe nuk parashikohen vetëm për ndeshjet që luhen në temperatura të larta, por për të gjitha ndeshjet e Botërorit 2026.

Arbitrat do ta ndalin lojën në minutën e 22-të të secilës pjesëlojë, në mënyrë që lojtarët të pijnë ujë apo lëngje të tjera. Loja do të ndalet pavarësisht temperaturës dhe pa marrë parasysh nëse stadiumi ka ajër të kondicionuar apo është i tëri i mbuluar.

Ndryshimi mund të jetë i mirëseardhur për transmetuesit e ndeshjeve, pasi e bën orarin më të parashikueshëm. FIFA tha se kjo u bë e ditur së pari kur shefi i saj për Kupën e Botës 2026, Manolo Zubiria, mori pjesë në një takim me transmetuesit.

Ai ka lënë të kuptohet se arbitrat mund të jenë fleksibil për pushimin, nëse ka ndonjë ndalesë për shkak të lëndimeve pak para minutës së 22-të.

“Për këtë do të njoftohen arbitrat në takimet me ta”, ka thënë Zubiria.

FIFA tha se ky veprim është një “version më i efektshëm dhe i thjeshtuar” i një praktike të mëparshme për pushime pas 30 minutave lojë, kur arrihej një prag i caktuar i temperaturës. Këto pushime mundësoheshin kur temperatura ishte mbi 32 gradë Celsius.

Ndryshimi vjen pasi nxehtësia dhe lagështia e ajrit ndikuan te lojtarët gjatë disa ndeshjeve në Kupën e Botës për Klube që është mbajtur në verën e këtij viti në SHBA.

Në Botërorin e Klubeve FIFA reaguoi duke ulur pragun e temperaturës për pushime të freskimit dhe gjithashtu duke vendosur më shumë ujë dhe peshqirë rreth fushës. 

Nxehtësia ka kohë që paraqet problem për turnetë e mëdhenj të futbollit. Pas shqetësimeve për Kupën e Botës 2014, një gjykatë në Brazil e urdhëroi FIFA-n të bënte të detyrueshme pushimet e rekomanduara, ose të përballej me gjoba. Për shkak të temperaturave të larta, Botërori i kaluar në Katar ishte mbajtur nga 20 nëntori deri më 18 dhjetor 2022, e jo në termin të zakonshëm gjatë verës.