Futboll

FIFA duhet të shqyrtojë që finalja e Botërorit të luhet në nëntë të mëngjesit

Bellingham

Moti ekstrem gjatë Kupës së Botës për Klube që po zhvillohet në SHBA këtë verë, do të thotë që FIFA duhet të mendojë për zhvillimin e finales së Kupës së Botës të vitit të ardhshëm në nëntë të mëngjesit. Kështu të paktën ka thënë një ekspert i kontaktuar nga BBC.

Profesori Mike Tipton nga Universiteti i Portsmouthit, që është specialist mbi efektin e temperaturës ekstreme në trupin e njeriut, është pyetur se si FIFA duhet të përballojë valën e të nxehtit në Botërorin e vitit të ardhshëm në SHBA.

Si shumë të tjerë, Tipton ka përmendur kushtet brutale me të cilat po përballën lojtarët në disa ndeshje në Kupën e Botës për Klube. Kushtet do të jenë të njëjta edhe në Botërorin e vërtetë, verën e ardhshme.

Vala e parë e të nxehtit të madh të verës u shfaq javën e kaluar në lindje të SHBA-së. Dhjetëra njerëz kishin nevojë për trajtim spitalor për sëmundje që lidheshin me nxehtësinë. Në New York, për shembull, më 24 qershor temperatura ishte 39 gradë Celsius, që ishte rekord për atë muaj.

Stadiumet në SHBA, Kanada dhe Meksikë kryesisht nuk kanë çati dhe hija është e kufizuar.

Orari i ndeshjeve nuk është caktuar, por ato pritet të fillojnë në ora 15:00, 18:00 dhe 21:00, sipas kohës lokale. Do të merret për bazë edhe audienca në Evropë dhe interesi i transmetuesve.

Tipton, që punon me shumë sportistë, thotë se zhvillimi i ndeshjeve në mëngjes do të ishte gjëja e duhur.

“Do ta zhvendosja edhe finalen në një stadium me ajër të kondicionuar dhe me çati. Mundësisht në një kohë më të freskët të vitit”, tha ai. “Por kjo nuk mund të ndryshojë, kështu që e vetmja gjë që mund të bëhet është të luhet në një kohë më të freskët të ditës. Si për arsye shëndetësore ashtu edhe për performancë, do të kërkoja që ndeshjet të fillojnë sa më herët të jetë e mundur. Rreziqet shëndetësore nuk janë vetëm për lojtarët, por edhe për zyrtarët dhe shikuesit”.