Botë

Zonja e Parë e Turqisë i apelon Melania Trumpit për fëmijët në Gaza

Emine Erdogan

Zonja e Parë e Turqisë ka kërkuar nga Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të flasë haptas për vuajtjet e fëmijëve në Gaza, si pasojë e sulmeve të Izraelit.

Emine Erdogan ka vlerësuar përkrahjen që Melania Trump u dha fëmijëve të prekur nga pushtimi i Rusisë në Ukrainë. Në një letër të publikuar nga Presidenca Turke, zonja Erdogan ka kërkuar që i njëjti qëndrim të jepet edhe për fëmijët në Gaza.

“Ne duhet të bashkojmë zërin dhe forcën kundër kësaj padrejtësie”, ka shkruar ajo në letër. Emine Erdogan e ka quajtur Gazën “varrezë fëmijësh”.

Letra e saj u publikua një ditë pasi autoriteti botëror i ushqimit konstatoi se në qytetin e Gazës ka krizë urie. Pavarësisht kësaj, Izraeli ka kundërshtuar gjetjet e raportit duke i quajtur të njëanshme dhe të pabaza.

Javën e shkuar, zonja Trump i përcolli presidentit rus, Vladimir Putin, një letër duke e lutur që të marrë parasysh jetën e fëmijëve në veçanti.

Zonja e Parë e Turqisë nuk përfshihet shpesh në politikë, por u ka shkruar liderëve botërorë edhe në të kaluarën, sidomos në rastin e luftës civile në Siri dhe ndaj sulmeve izraelite në Gaza.