Melania Trump, gruaja e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i ka dërguar një letër “paqeje” presidentin rus, Vladimir Putin, duke e shprehur shqetësimin për fatin e fëmijëve në luftën e Ukrainës dhe duke e inkurajuar atë të “mbrojë pafajësinë e tyre”. Letra iu dorëzua personalisht Putinit nga Trumpi gjatë një takimi që dy liderët kishin në Alaska të shtunën.
Pa e përmendur drejtpërdrejt Ukrainën, Trump theksoi ndikimin e luftës te fëmijët, duke thënë se çdo fëmijë “ëndërron për dashuri, mundësi dhe siguri nga rreziku”.
“Çdo fëmijë ndan ëndrrat e njëjta, qofshin ata të lindur në fshatrat e një kombi ose në qytetet e mëdha. Ata ëndërrojnë për dashuri, mundësi dhe siguri nga rreziku. Si prindër, është detyra jonë të ushqejmë shpresën e gjeneratës tjetër. Si liderë, përgjegjësia për të mbrojtur fëmijët tanë shtrihet përtej komfortit të disave. Pa dyshim, duhet të mundohemi të pikturojmë një botë të mbushur me dinjitet për të gjithë - që çdo shpirt të mund të zgjohet në paqe dhe që e ardhmja të mbrohet në mënyrë të përsosur”, ka shkruar ajo.
“Por në botën e sotme, disa fëmijë janë të detyruar të mbajnë të qeshurën në heshtje...Zotëri Putin, ju mund ta riktheni këtë qeshje”, shkruhej në letër.
Melania Trump i tha Putinit se duke mbrojtur pafajësinë e fëmijëve, ai do të bënte “më shumë sesa të shërbente vetëm Rusinë” – ai do t’i shërbente njerëzimit.
“Në mbrojtjen e pafajësisë së këtyre fëmijëve, ju do të bëni më shumë sesa të shërbeni vetëm për Rusinë – do t’i shërbeni vetë njerëzimit”, shkruhej ndër të tjera në letër.
Letra vjen një muaj pas akuzave të Ukrainës se Rusia ka rrëmbyer fëmijë gjatë pushtimit të saj të vazhdueshëm, duke i detyruar ata të shërbejnë në ushtrinë ruse sapo të bëhen 18 vjeç, dhe duke i dërguar ata të luftojnë kundër popullit të vet. Andriy Yermak, shefi i shtabit të Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se kjo praktikë shqetësuese është pjesë e një “plani të koordinuar, të miratuar nga shteti”, i cili është aprovuar nga Putin.
Në vitin 2023, Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) lëshoi një urdhër-arresti për Putinin, duke e akuzuar për rrëmbimin e fëmijëve si një akuzë kryesore. Megjithatë, Kremlini ka mohuar çdo vepër të tillë dhe e ka quajtur këtë urdhër “shokues dhe të papranueshëm”.
