Botë

Përplasje publike, Erdogani-Merzit: A nuk po e sheh Gjermania gjenocidin e Izraelit në Gaza?

Erdogan, Merz

Një përplasje e hapur publike midis dy aleatëve të NATO-s, ndodhi të enjten në Ankara. Ndonëse ishte vizita e parë e kancelarit gjerman Friedrich Merz në Turqi që kur e mori këtë detyrë, presidenti Recep Tayyip Erdogan, e kritikoi për siç tha – mosvëmendje ndaj gjenocidit dhe sulmeve të Izraelit në Gaza.

Në një konferencë të përbashkët për media, ai iu drejtua me “a nuk po e sheh Gjermania gjenocidin e Izraelit në Gaza?”.

“Hamas nuk ka bomba, nuk ka armë bërthamore, por Izraeli i ka të gjitha këto dhe i përdor për të goditur Gazën. Për shembull me ato bomba goditi përsëri mbrëmë. A i shihni ju këto, si Gjermani? A i ndiqni këto? Përveç bombardimeve ndaj Gazës, Izraeli gjithmonë ka synuar ta shtypë atë përmes urisë dhe gjenocidit”, ka deklaruar Erdogan.

Merz ka kritikuar disa veprime të Izraelit në Gaza, dhe gjithashtu këtë vit Gjermania ka pezulluar eksportet ushtarake drejt Izraelit, duke përmendur përkeqësimin e situatës humanitare, por ai nuk ka mbështetur akuzat për gjenocid, duke theksuar se kritika ndaj Izraelit nuk duhet të përdoret si pretekst për antisemitizëm.
“Do të kishte mjaftuar vetëm një vendim për të shmangur një numër të madh viktimash të panevojshme. Hamas duhej t’i kishte liruar pengjet më herët dhe të dorëzonte armët”, ka thënë Merz, duke shtuar se shpreson që lufta po i afrohet fundit me marrëveshjen e armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe mbështetur nga Turqia.

Erdogan, si një ndër kritikët më të ashpër të ofensivës izraelite në Gaza dhe një aktor kyç në bisedimet për armëpushim, ka thënë se nuk mund të pajtohej me qëndrimin e Merz.

Ai ka deklaruar se beson që Turqia dhe Gjermania mund të bashkëpunojnë për të luftuar urinë duke siguruar dërgimin e ndihmave humanitare në Gaza.

Krahas deklarimeve për luftën e Izraelit në Gaza, Erdogan ka folur edhe për mundësinë që dy vendet aleate të NATO-s të përqendrohen në projekte të përbashkëta në industrinë e mbrojtjes, si dhe përsëriti dëshirën e Ankarasë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Merz, nga ana e tij, tha se e sheh Turqinë si partnere të ngushtë të BE-së, dhe se dëshiron të zhvillojë marrëdhëniet dypalëshe ekonomike, përfshirë sektorin e transportit dhe menaxhimin e migracionit.