Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka kritikuar Izraelin për fushatën ajrore të bombardimeve mbi Rripin e Gazës, tek e ka përshkruar atë si të “palogjikshme” dhe të “pakuptimtë” në rrethanat e tanishme, shkruan Reuters.
“Sulmet masive ushtarake nga izraelitët në Rripin e Gazës nuk janë më të logjikshme sipas meje. Se si i shërbejnë ato qëllimit për të luftuar terrorin ... Në këtë drejtim, e shoh këtë shumë, shumë në mënyrë kritike”, ka thënë Merz.
“Nuk jam nga ata që e kanë thënë i pari ... Por siç e shoh unë, koha ka ardhur që duhet ta them publikisht, se ajo çfarë po ndodhë aktualisht nuk është më e kuptueshme”, ka shtuar ai.
Ndryshimi i diskursit është jashtëzakonisht i rëndësishëm në Gjermani, marrë parasysh se lidershipi i vendit ka ndjekur një politikë të përgjegjësisë ndaj Izraelit, e njohur si “Staatsraeson”, për shkak të së kaluarës naziste dhe Holokaustit.
Mesazhi i tij, që u kumtua në një konferencë për shtyp në Finlandë, reflekton luhatjen e opinionit publik por edhe vullnetin e madh të politikanëve gjermanë që të kritikojnë veprimet e Izraelit që prej sulmit të Hamasit më 7 tetor të vitit 2023.
Kancelari gjerman planifikon të flasë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahun gjatë javës, derisa sulmet në Gazë kanë vrarë mijëra persona në ditët e fundit dhe popullata 2 milionëshe e enklavës rrezikohet nga kriza e urisë.
Gjermania, ashtu si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka qenë ndër aleatët tradicionalë të Izraelit, teksa komentet e Merzit janë bërë në kohën kur Bashkimi Evropian dhe vendet e tjera po i rishqyrtojnë marrëdhëniet e tyre me shtetin hebraik.