Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Kancelari gjerman viziton Kievin, ndërsa Rusia intensifikon sulmet ndaj qyteteve ukrainase

Friedrich Merz

Foto: Associated Press

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka mbërritur në Kiev të dielën, në një shenjë mbështetjeje për Ukrainë, ndërsa Rusia po i intensifikon sulmet ndaj qyteteve ukrainase, raporton agjencia “AP”.

Lufta ajrore është intensifikuar, me Moskën që po kërcënon qytetet në të gjithë Ukrainën me raketa balistike dhe dronë me motor reaktiv, ndërsa Kievi po godet industrinë e naftës dhe bizneset e Rusisë.

Për Merzin është vizita e tij e dytë në Kiev prej që ka marrë postin e kancelarit. Ai tha se vizita e tij është për të demonstruar mbështetjen e Gjermanisë për Ukrainën.

“Nëse Rusia nuk ndalet, makineria e saj e luftës herët a vonë do të kthehet kundër nesh”, tha ai në një deklaratë të dielën, duke shtuar se i tha presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky se mund të vazhdojë të llogarisë në ndihmën e Gjermanisë. 

Merzi tha se partneriteti mes dy vendeve “nuk është një rrugë njëkahëshe”, duke iu referuar kompanive gjermane dhe ukrainase që po zhvillojnë së bashku teknologji që u sjellin përfitime të dyja palëve. 

“Kjo na bën më të sigurt dhe më të fortë”, tha ai.

Ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha tha se agjenda do të përqendrohej në “forcimin e Ukrainës, mbrojtjes dhe qëndrueshmërisë sonë, si dhe sigurisë sonë të përbashkët evropiane”.

Ministria e Jashtme e Rusisë tha të shtunën se do të vazhdojë të kryejë “sulme masive hakmarrëse” ndaj Kievit dhe qyteteve të tjera ukrainase, duke u bërë thirrje shtetasve të huaj dhe diplomatëve që të largohen nga vendi. Ajo kishte lëshuar një paralajmërim të ngjashëm edhe në maj.

Një dron rus goditi sërish urën veriore të Kievit mbi lumin Dnipro të dielën në mëngjes. Një video që qarkullonte në rrjetet sociale tregonte dronin duke u përplasur me urën dhe shpërthimin, ndërsa automjetet po kalonin. Nuk pati menjëherë informacione për viktima.

Sulmi i fundit erdhi pasi sulmet ruse detyruan mbylljen e plotë ose të pjesshme të tri prej gjashtë urave rrugore të Kievit mbi lumin Dnipro në fillim të kësaj jave, duke pezulluar qarkullimin dhe duke shkaktuar kolona të gjata trafiku, në përpjekjen e fundit të Moskës për të penguar jetën e përditshme në kryeqytetin ukrainas. Më parë, Rusia ka goditur ndërtesa banimi, magazina supermarketesh, pika karburanti dhe qendra të të dhënave, ndër objektiva të tjera.

Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës më shumë se 4 vjet e gjysmë më parë dhe nuk ka shenja konkrete se një marrëveshje paqeje mund të jetë e mundur. Luftimet përgjatë vijës së frontit prej rreth 1,250 kilometrash, që shtrihet në veri, lindje dhe jug të Ukrainës, kanë mbetur praktikisht në një ngërç gjatë muajve të fundit.