Botë

Zelensky thotë se po i diskuton me partnerët evropianë detajet e bisedës Trump-Putin

Donald Trump, Volodymyr Zelensky, Vladimir Putin

Foto: Associated Press

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë të martën se është duke i diskutuar me partnerët evropianë detajet e bisedës së djeshme telefonike mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe atij rus, Vladimir Putin 

“Është Amerika ajo që i frikësohet Rusisë dhe është ndikimi amerikan që mund të shpëtojë shumë jetë nëse ajo ndikon në Putinin për t'i dhënë fund luftës”, ka thënë Zelensky në një videoadresim të martën, raporton AP.

Rusia dhe Ukraina do të fillojnë “menjëherë” negociatat për armëpushimin, ka deklaruar Trumpi të hënën pas bisedave të ndara telefonike me krerët e të dy vendeve në luftë.

Bisedat nuk duket se kanë shënuar ndonjë përparim të madh.

Trumpi nuk e ka bërë të qartë se kur dhe ku mund të zhvilloheshin bisedimet apo kush do të merrte pjesë.

Njoftimi i Trumpit ka ardhur disa ditë pas bisedimeve të para të drejtëpërdrejta midis delegacioneve ruse dhe ukrainase që nga viti 2022.

Negociatat të premten në Turqi kanë rezultuar me marrëveshje për një shkëmbim të kufizuar të të burgosurve, por pa pushim në luftime.