Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se do t'u bëjë thirrje sërish aleatëve për të rritur mbrojtjen e saj ajrore në një takim të javës së ardhshme në Gjermani.
Zelensky ka thënë se dhjetëra vende partnere do të marrin pjesë në takimin e grupit "Ramstein" që mbahet në bazën ajrore Ramstein në Gjermani të enjten.
"Ne do ta diskutojmë këtë me ta dhe do të vazhdojmë t'i bindim”, ka thënë Zelensky në fjalimin e tij të natës të shtunën.
"Detyra mbetet e pandryshuar: forcimi i mbrojtjes sonë ajrore”, ka shtuar ai.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd J. Austin do të marrë pjesë në takim. Bideni ishte planifikuar të merrte pjesë në samitin e tetorit në Ramstein, por udhëtimi i tij ishte anuluar për shkak të uraganit Milton që goditi SHBA-në.
Në javët e fundit në detyrë, administrata Biden po bën presion për të dërguar sa më shumë ndihmë ushtarake në Ukrainë përpara se Trumpi të betohet më 20 janar.
Edhe
Zelensky u kërkon aleatëve të NATO-s më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore
Trumpi pretendonte gjatë fushatës së tij zgjedhore se ai mund t'i jepte fund luftës brenda një dite dhe komentet e tij kanë vënë një pikëpyetje nëse Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë mbështetësi më i madh dhe më i rëndësishëm ushtarak i Ukrainës.
Zelensky ka thënë javën e kaluar se Trumpi është "i fortë dhe i paparashikueshëm" dhe se këto cilësi mund të jenë një faktor vendimtar në qasjen e tij politike ndaj pushtimit rus të Ukrainës.
Zelensky ka thënë të shtunën po ashtu se trupat ruse dhe koreano-veriore kanë pësuar humbje të mëdha në luftimet në rajonin Kursk të Rusisë.