Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të dielën se një dokument i garancive të sigurisë nga SHBA-ja për Ukrainën është “100% gati” pas dy ditësh bisedimesh që përfshinë përfaqësues nga Ukraina, SHBA dhe Rusia, transmeton agjencia “AP”.
Duke folur me gazetarët në Vilnius gjatë një vizite në Lituani, Zelensky tha se Ukraina po pret që partnerët e saj të caktojnë një datë nënshkrimi, pas së cilës dokumenti do t’i dërgohet Kongresit të SHBA-së dhe Parlamentit ukrainas për ratifikim.
Zelensky theksoi gjithashtu shtytjen e Ukrainës për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në vitin 2027, duke e quajtur atë një “garanci të sigurisë ekonomike”.
Udhëheqësi ukrainas i përshkroi bisedimet në Abu Dhabi, kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, si formatin e parë trilateral në “një kohë mjaft të gjatë” që përfshinte jo vetëm diplomatë, por edhe përfaqësues ushtarakë nga të tria palët. Bisedimet, që nisën të premten dhe vazhduan të shtunën, ishin më të fundit që synonin t’i jepnin fund luftës në Ukrainë, e cila nisi në shkurt të vitit 2022 kur Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës.
Zelensky pranoi dallime themelore mes qëndrimeve ukrainase dhe ruse, duke riafirmuar çështjet territoriale si një pengesë madhore.
“Qëndrimi ynë lidhur me territorin tonë — integriteti territorial i Ukrainës — duhet të respektohet”, tha ai.
Presidenti rus Vladimir Putin diskutoi një zgjidhje për Ukrainën me të dërguarit e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, gjatë bisedimeve maratonë vonë të enjten. Kremlini këmbënguli se, për të arritur një marrëveshje paqeje, Kievi duhet t’i tërheqë trupat e tij nga zonat në lindje që Rusia i ka aneksuar ilegalisht, por që nuk i ka pushtuar plotësisht.
Zelensky tha se SHBA-ja po përpiqet të gjejë një kompromis, por se “të gjitha palët duhet të jenë të gatshme për kompromis”.
Negociatorët do të kthehen në Emiratet e Bashkuara Arabe më 1 shkurt për raundin e ardhshëm të bisedimeve, sipas një zyrtari amerikan. Bisedimet e fundit mbuluan një gamë të gjerë çështjesh ushtarake dhe ekonomike dhe përfshinë mundësinë e një armëpushimi përpara një marrëveshjeje, tha zyrtari. Ende nuk kishte një marrëveshje për një kornizë përfundimtare për mbikëqyrjen dhe funksionimin e centralit bërthamor të Zaporizhzhias në Ukrainë, i cili është i pushtuar nga Rusia dhe është më i madhi në Evropë.