SHBA-ja po i kushtëzon garancitë e sigurisë për një marrëveshje paqeje në Ukrainë me dorëzimin nga Kievi të gjithë rajonit lindor të vendit, Donbasit, ndaj Rusisë, ka thënë presidenti Volodymyr Zelensky në një intervistë për Reuters.
Teksa SHBA-ja është e përqendruar në konfliktin e saj me Iranin, presidenti Donald Trump po ushtron presion mbi Ukrainën në përpjekje për t’i dhënë fund sa më shpejt luftës katërvjeçare të shkaktuar nga pushtimi rus i vitit 2022, ka shtuar Zelensky.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Lindja e Mesme patjetër ka ndikim te presidenti Trump dhe mendoj edhe në hapat e tij të ardhshëm. Presidenti Trump, fatkeqësisht, sipas mendimit tim, vazhdon të zgjedhë një strategji që ushtron më shumë presion mbi palën ukrainase”, i ka thënë ai Reuters-it.
SHBA-ja, Rusia dhe Ukraina kanë zhvilluar tri runde bisedimesh të nivelit të lartë, trepalëshe, në Abu Dabi dhe Gjenevë këtë vit, në përpjekje për të negociuar përfundimin e konfliktit më të përgjakshëm në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, i cili ka shkatërruar pjesë të mëdha të Ukrainës dhe ka vrarë qindra mijëra njerëz.
Udhëheqësi ukrainas ka thënë vazhdimisht se garanci të forta sigurie nga partnerët ndërkombëtarë janë të nevojshme për të siguruar që Rusia të mos rifillojë armiqësitë në të ardhmen, pas arritjes së një marrëveshjeje paqeje.
Dy çështje jetike mbetën të pazgjidhura lidhur me këto garanci sigurie, ka thënë Zelenskiy: se kush do të ndihmojë në financimin e blerjeve të armëve të Ukrainës për të ruajtur fuqinë parandaluese ushtarake dhe si saktësisht do të përgjigjen aleatët e saj në rast të ndonjë agresioni të ardhshëm rus.
“Amerikanët janë të gatshëm t’i finalizojnë këto garanci në nivel të lartë sapo Ukraina të jetë gati të tërhiqet nga Donbasi”, ka thënë lideri 48-vjeçar, duke shtuar se ai i kuptonte “nuancat” e qëndrimit amerikan, edhe pse nuk kishte marrë pjesë drejtpërdrejt në bisedimet trepalëshe.
Presidenti rus, Vladimir Putin, këmbëngul se kontrolli i të gjithë Donbasit është një element thelbësor i objektivave të tij të luftës, të cilat Moska do t’i arrinte në fushën e betejës nëse nuk do të mund t’i siguronte në tryezën e negociatave.
Megjithatë, ritmi i avancimit të Rusisë ka qenë i ngadaltë gjatë dy vjetëve të fundit. Analistët ushtarakë thonë se mund të duhet shumë kohë dhe një numër i madh forcash për të pushtuar të gjithë Donbasin, i cili përfshin një të ashtuquajtur “Brezi i Fortesës” të qyteteve të fortifikuara rëndë nga ushtria ukrainase.
Zelensky ka paralajmëruar se një tërheqje do të komprometonte sigurinë e Ukrainës dhe, rrjedhimisht, të Evropës, duke ia dorëzuar Rusisë pozicionet e forta mbrojtëse të rajonit.
“Do të doja shumë që pala amerikane të kuptonte se pjesa lindore e vendit tonë është pjesë e garancive tona të sigurisë”, ka thënë ai.
Shtëpia e Bardhë nuk i është përgjigjur menjëherë një kërkese për koment.
Zelensky kishte thënë në janar se një dokument garancish sigurie midis Ukrainës dhe SHBA-së ishte "100% gati" dhe priste të nënshkruhej. Të martën, pas bisedimeve të fundjavës midis zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas në Miami, ai ka deklaruar se kishte ende punë për t'u bërë.