Botë

Zelensky: Do të punojmë me SHBA-në për të forcuar mbrojtjen ajrore

Volodymyr Zelensky

Foto: Associated Press

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë të premten se ka biseduar në telefon me presidentin amerikan, Donald Trump, mbi nevojën për të forcuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës, në mesin e sulmeve gjithmonë e në rritje të Rusisë ndaj qyteteve ukrainase, ka raportuar The Guardian.

Në një njoftim të shkurtër që u publikua në rrjetin social Telegram, ai ka thënë se presidenti amerikan ishte “shumë mirë i informuar” për situatën në Ukrainë, teksa të që të dy liderët diskutuan sa u përket “mundësive për mbrojtjen ajrore dhe ranë dakord që do të punojnë për të forcuar mbrojtjen në qiell”.

Ai ka shtuar se janë pajtuar edhe për të zhvilluar një tjetër takim të veçantë mes ekipeve të tyre për këtë çështje.

Zelensky ka bërë të ditur se është folur edhe për mundësitë e prodhimit të përbashkët të armëve, tek ka deklaruar se janë të gatshëm për projekte të drejtpërdrejta me Amerikën, si dhe për blerje e investime të tjera të përbashkëta.

Presidenti ukrainas i ka përcjellë gjithashtu urimet për Ditën e Pavarësisë së SHBA-së, duke falënderuar Amerikën për mbështetjen që ia ka dhënë deri më tani.

“Kemi bërë shumë së bashku me Amerikën dhe mbështesim të gjitha përpjekjet për të ndalur vrasjet dhe për të rivendosur paqe normale, të qëndrueshme dhe me dinjitet. Nevojitet një marrëveshje e ndershme për paqen, dhe Ukraina mbështet propozimet amerikane”, ka thënë Zelensky.