Udhëheqësit e Evropës dhe Ukrainës do të flasin me presidentin e SHBA-së Donald Trump në një takim virtual të mërkurën, përpara samitit të tij me Vladimir Putinin.
Trumpi do të presë Putinin për bisedime në Alaska të premten, për të cilat presidenti i SHBA-së ka thënë se do të shërbejnë si një takim "ndjekës" në përpjekjet e tij për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, raporton Reuters.
Trumpi ka rënë dakord javën e kaluar për samitin e parë SHBA-Rusi që nga viti 2021.
Presidenti i SHBA-së thotë se si Kievi ashtu edhe Moska do të duhet të lëshojnë territor për t'i dhënë fund luftës. Trupat ruse kanë pushtuar tashmë pothuajse një të pestën e Ukrainës.
Paparashikueshmëria e mënyrës se si do të zhvillohet samiti ka ushqyer frikën e evropianëve se udhëheqësit e SHBA-së dhe Rusisë mund të marrin vendime me ndikim të gjerë dhe madje të përpiqen ta detyrojnë Ukrainën të arrijë një marrëveshje të pafavorshme.
Mirëpo administrata e Trumpit ka zbutur pritjet të martën për përparim të madh drejt një armëpushimi, duke e quajtur takimin e tij me Putinin në Alaska një "ushtrim dëgjimi".
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s do të marrë pjesë gjithashtu në konferencën e organizuar nga kancelari gjerman, Friedrich Merz.
Ukraina shpreson që takimi do të shërbejë - të paktën pjesërisht - si një kundërpeshë evropiane ndaj samitit në Alaska.
Zelensky: Çështjet që e shqetësojnë Ukrainën duhet të diskutohen me Ukrainën
Në komentet hapëse, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së “unitetit evropian” dhe koordinimit “shumë intensiv” me liderët e Evropës.
Ai ka riafirmuar po ashtu qëndrimin se çështjet që e “shqetësojnë Ukrainën duhet të diskutohen me Ukrainën”, teksa e ka mbështetur fuqishëm idenë për takim trepalësh mes tij, presidentit amerikan, Donald Trump dhe presidentit rus, Vladimir Putin.
Zelensky ka përsëritur thirrjet për rritje të presionit karshi Rusisë, duke shtuar se Putini po bën “blof” kur pretendon se nuk shqetësohet fare për sanksionet.
I pyetur nga gazetarët lidhur me idenë për shkëmbimin e territoreve, ai është përgjigjur se vazhdon ta kundërshtojë këtë skenar dhe se Kushtetuta e Ukrainës duhet të mbetet po e njëjta.
“Çdo çështje që ka të bëjë me integritetin territorial të vendit tonë nuk mund të diskutohet pa marrë parasysh popullin tonë, vullnetin e popullit tonë dhe kushtetutën e Ukrainës”, ka thënë ai.
Ai ka thënë ndër të tjera se Trumpi e ka garantuar që do ta kontaktojë menjëherë pas takimit me Putinin për ta diskutuar situatën dhe se nëse qëllimet e diskutuara sot nuk arrihen, ata do të diskutojnë për hapat e mëtejshëm.
Merz: Liderët evropianë të vendosur ta kthejnë në sukses samitin Trump-Putin
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka thënë të mërkurën gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, se udhëheqësit evropianë janë të vendosur të ndihmojnë që samiti i ditës së premte ndërmjet Trumpit dhe Putinit në Alaskë të jetë i suksesshëm.
“Prandaj, ne evropianët bëjmë çmos për të përcaktuar rrjedhën e duhur për këtë takim”, ka theksuar ai.
Krahas kësaj, ai e ka cilësuar bisedën virtuale si “shumë konstruktive”, gjersa është shprehur optimist se procesi i paqes në Ukrainë mund të përparojë.
“Ka shpresë se diçka po lëviz. Ka shpresë se mund të ketë paqe në Ukrainë”, ka shtuar Merzi pas takimit virtual të zhvilluar me Trumpin.
Sipas tij, marrëveshja e armëpushimit duhet të jetë hapi i parë drejt paqes afatgjatë dhe të qëndrueshme.
Mes tjerash, Merzi ka këmbëngulur në parimin e vjetër evropian se “kufijtë nuk duhet të ndryshohen përmes dhunës”, dhe se partnerët evropianë dëshirojnë që të ofrojnë “garanci të forta sigurie për Ukrainën”.
Macron: Trumpi gjatë takimit me Putinin synon armëpushimin në Ukrainë
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë të mërkurën pas takimit virtual mes liderëve evropianë dhe presidentit amerikan, Donald Trump, se qëllimi parësor për aleatët është arritja e marrëveshjes së armëpushimit në Ukrainë.
“Biseda me Donald Trumpin i ka qartësuar qëllimet e tij, dhe na ka shërbyer neve që të shprehim pritshmëritë tona”, ka thënë ai, tek ka qenë krah për krah me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa.
“Dëshira e amerikanëve është që të mundësohet një armëpushim”, ka vazhduar më tutje Macron. “Ne duam që çdo çështje e cila lidhet me Ukrainën të diskutohet në praninë e Ukrainës”.
Sipas tij, liderët evropianë gjithashtu kanë adresuar thirrje për më shumë shkëmbime mes të burgosurve të luftës dhe lirimit të fëmijëve ukrainas që janë rrëmbyer nga forcat ruse gjatë luftës.
Duke folur rreth samitit të mundshëm që do të sillte së bashku Trumpin, presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentin rus Vladimir Putin, ai ka deklaruar se shpreson që një takim i këtillë të mbahet “në vend neutral që është i pranueshëm për të gjitha palët”.
Lidhur me ofertën e Trumpit për shkëmbime territoriale mes Rusisë e Ukrainës, Macroni ka theksuar se “çështjet territoriale që kanë të bëjnë me Ukrainën mund të negociohen, dhe do të negociohen, vetëm nga presidenti ukrainas".
Trumpi do t’ia paraqesë Putinit të gjitha opsionet në tryezë, thotë sekretari i Thesarit
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka thënë se presidenti Donald Trump, do t’ia paraqesë të gjitha opsionet në tavolinë homologut të tij rus, Vladimir Putin, në samitin e të premtes në Alaskë.
Duke folur për Bloomsberg TV, Bessent, ka deklaruar se “të gjithë kanë qenë të frustruar me Putinin", por ka sugjeruar se tani "duket sikur ai mund të jetë gati të negociojë".
"Presidenti do t'ia bëjë të qartë presidentit Putin se të gjitha opsionet janë në tryezë", ka shpjeguar ai.
Bessent ka paralajmëruar se nëse bisedimet nuk shkojnë sipas planit, "atëherë sanksionet ose tarifat dytësore mund të rriten".
Ai ka thënë po ashtu se edhe Evropa duhet të jetë e gatshme të vendosë edhe sanksione dytësore ndaj Rusisë.
"Ne kemi nevojë që evropianët të vijnë dhe të ndihmojnë në krijimin e një ndikimi më të madh", është shprehur ai.
Deklaratat e tij kanë ardhur pak para një takimi virtual mes lidervëve të BE-së, presidentit të Ukrainës dhe presidentit amerikan të mërkurën.
Moska e palëkundur në kërkesat ndaj Kievit për lëshime territoriale
Moska zyrtare ka thënë të mërkurën se qëndrimi i saj për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë nuk ka ndryshuar që kur presidenti, Vladimir Putin vendosi kushtet e tij vitin e kaluar.
Ato janë: tërheqje e plotë e forcave të Kievit nga rajonet kryesore të Ukrainës dhe braktisja e ambicieve të saj për anëtarësim në NATO.
Putini dhe presidenti i SHBA-së Donald Trump do të takohen të premten në Alaska, takimi i parë amerikano-rus që nga viti 2021, për të diskutuar përpjekjet për t'i dhënë fund luftës. Trumpi ka thënë se të dyja palët do të duhet të shkëmbejnë një pjesë të territorit që aktualisht mbajnë, për ta bërë këtë të ndodhë.
Rusia aktualisht kontrollon 19% të Ukrainës, duke përfshirë të gjithë Krimenë, të gjithë Luhanskun, më shumë se 70% të rajoneve të Donetskut, Zaporizhzhisë dhe Khersonit, dhe pjesë të rajoneve të Kharkivit, Sumit, Mykolaivit dhe Dnipropetrovskit.
Pas raportimeve nga disa media se Uashingtoni e kuptoi që Putini ishte gati të bënte kompromis mbi kërkesat e tij territoriale, zyrtari i ministrisë së Jashtme ruse, Alexei Fadeev, u pyet nga gazetarët nëse qëndrimi i Rusisë kishte ndryshuar apo jo.
"Qëndrimi i Rusisë mbetet i pandryshuar dhe u shpreh në këtë sallë pak më shumë se një vit më parë, më 14 qershor 2024", ka thënë Fadeev, duke iu referuar një fjalimi që Putini ka mbajtur atëherë në ministrinë e Jashtme.
Në atë kohë, në deklaratat e tij më të plota publike deri më tani në lidhje me formën e një zgjidhjeje të mundshme, shefi i Kremlinit kishte paraqitur kërkesa, duke përfshirë tërheqjen e trupave ukrainase nga pjesët e Donetskut, Zaporizhzhisë dhe Khersonit që ata ende kontrollojnë.
Putini kishte thënë gjithashtu se Kievi do të duhej të njoftonte zyrtarisht Moskën se po braktiste planet e saj për t'u bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s të udhëhequr nga SHBA-ja dhe se synonte të mbetej neutrale dhe e paangazhuar.
Për më tepër, Putini kishte thënë se të drejtat dhe liritë e rusishtfolësve në Ukrainë do të duhej të siguroheshin.
Ukraina ka thënë vazhdimisht se nuk do ta njohë kurrë pushtimin rus të tokës së saj dhe shumica e vendeve e njohin territorin e Ukrainës brenda kufijve të saj të vitit 1991. Bazuar në vijat aktuale të frontit, Moska do të kërkonte që Ukraina t’i lëshonte Rusisë 21,000 km katrorë shtesë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se Rusia duhet të bjerë dakord për një armëpushim përpara se të diskutohen çështjet territoriale. Ai ka thënë se do të refuzoj çdo propozim rus që Ukraina të tërheqë trupat e saj nga rajoni lindor i Donbasit dhe të lëshojë vijat e saj mbrojtëse.
Trump i quan liderët evropianë “të shkëlqyer” para takimit virtual
Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka vlerësuar lartë liderët evropianë para një takimi virtual me ta të mërkurën, i cili do të zhvillohet në lidhje me samitin Trump-Putin të premten në Alaskë.
Në një postim në “Truth Social” pak orë para takimit, Trumpi ka thënë se liderët evropianë duan të shohin një marrëveshje për fundin e luftës në Ukrainë.
"Do të flasë me udhëheqësit evropianë pas pak. Ata janë njerëz të shkëlqyer që duan të shohin një marrëveshje të arritur”, ka shkruar Trumpi.
BBC raporton se liderët e vendeve të BE-së dhe NATO-s, së bashku me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të zhvillojnë fillimisht një takim virtual në ora 14:00 sipas kohës së Kosovës, e më pas, atyre do t’u bashkohen edhe presidenti amerikan, Donald Trump, e zëvendëspresidenti, JD Vance, rreth orës 15:00 sipas kohës së Kosovës.
Ndërkaq, rreth orës 16:00, kancelari gjerman, Friedrich Merz, i cili e ka thirrur takimin, dhe presidenti ukrainas, Zelensky, pritet të dalin në konferencë për media.
Zelensky ka mbërritur në Berlin të mërkurën në mesditë, ku është pritur nga Merz.
Zelensky thotë se aleatët e Ukrainës duhet ta detyrojnë Rusinë të bëjë paqe
Presidenti ukrainas, ka bërë sërish thirrje që të ushtrohet presion ndaj Rusisë për hir të një paqeje të drejtë.
Në një postim në X, presidenti i Ukrainës, pak para takimit virtual të tij të mërkurën me liderët evropianë dhe presidentin amerikan, Donald Trump, Zelensky ka thënë se: Përvoja e Ukrainës dhe e partnerëve tanë duhet të përdoret për të parandaluar mashtrimin nga Rusia.
“Aktualisht, nuk ka asnjë shenjë se rusët po përgatiten t'i japin fund luftë”, ka thënë Zelensky.
Ai ka shtuar se duke punuar së bashku, Ukraina, SHBA-ja, Evropa dhe kombet e tjera aleate e detyrojnë Rusinë të bëjë paqe.
Takimi virtual mes Zelenskyt, liderëve evropianë dhe Trumpit dy ditë para samitit të parë Trump-Putin që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
Zelensky shkon në Berlin për takimin me Trumpin
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, do të vizitojë Berlinin të mërkurën për t'u bashkuar me kancelarin gjerman, Friedrich Merz për bisedime me udhëheqësit evropianë dhe amerikanë përpara samitit Trump-Putin më vonë këtë javë, ka thënë qeveria gjermane.
Merzi ka organizuar një seri takimesh virtuale të mërkurën në një përpjekje për të dëgjuar zërin e udhëheqësve evropianë dhe ukrainas përpara një samiti nga i cili ata janë lënë mënjanë, raporton AP.
Zelensky pritet të takohet fillimisht me udhëheqësit evropianë, në përgatitje të një telefonate virtuale me presidentin e SHBA-së, Donald Trump dhe zëvendëspresidentin JD Vance rreth një orë më vonë.
Një telefonatë midis udhëheqësve të vendeve të përfshira në "koalicionin e të vullnetshmëve" - ata që janë të përgatitur të ndihmojnë në kontrollin e çdo marrëveshjeje të ardhshme paqeje midis Moskës dhe Kievit, do të zhvillohet e fundit.
Të mërkurën, Merzi është zotuar të ndihmojë Ukrainën të zhvillojë sistemet e veta të raketave me rreze të gjatë veprimi që do të jenë të lira nga çdo kufizim i imponuar nga Perëndimi në përdorimin dhe objektivat e tyre, ndërsa qeveria e Kievit lufton për të sprapsur pushtimin e Rusisë.
Zelensky ka vizituar për herë të fundit Berlinin në fund të majit.
Takimi Trump-Putin do të zhvillohet të premten në Alaska.