Presidenti i Kinës Xi Jinping dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, planifikojnë të marrin pjesë në samitin e Grupit G20 në Bali në nëntor, ka thënë presidenti indonezian, Joko Widodo.
"Xi Jinping do të vijë. Presidenti Putin gjithashtu më ka thënë se do të vijë," tha Widodo, i njohur gjithashtu si Jokowi, në një intervistë për Bloomberg News.
Ky është konfirmimi i parë që të dy liderët do të marrin pjesë në samit.
Ky do të jetë samiti i parë global që nga pushtimi rus i Ukrainës dhe tensionet e rritura mbi Tajvanin.
Kjo do të jetë gjithashtu hera e parë që Xi largohet nga Kina që nga janari i vitit 2020, kur vendi mbylli kufijtë e tij në fillim të pandemisë me COVID-19. Që atëherë, ai u largua nga vendi i tij vetëm për të shënuar 25 vjetorin e kthimit të Hong Kongut në Kinë, më 1 korrik të këtij viti.
Samiti i nëntorit do të jetë i shumëpritur duke qenë se pritet të marrë pjesë edhe presidenti amerikan Joe Biden, ndonëse është e paqartë nëse ai do të takohet me Putinin.
Por raportet kanë lënë të kuptohet për mundësinë e një takimi ballë për ballë midis Biden dhe Xi së shpejti - përpara samitit ose në margjinat e tij.