Samiti i vendeve anëtare të G20-s do të mbahet javën e ardhshme në Bali të Indonezisë dhe në të duhet të paraqitet edhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov.
Edhe pse u tha se presidenti rus Vladimir Putin do të ishte në samit, Kremlini njoftoi se ai nuk do të merrte pjesë në takim dhe në vend të tij do të shkonte kreu i diplomacisë ruse.
Megjithatë, ardhja e diplomatit rus, gjatë luftës në Ukrainë dhe marrëdhënieve të tensionuara me Perëndimin, do të ndryshojë aktivitetet e zakonshme shoqëruese të këtij lloj samiti.
Tradicionalisht, liderët duhet të qëndrojnë pranë njëri-tjetrit për një foto të përbashkët përpara fillimit të samitit. Mirëpo, fotosesioni i përbashkët kësaj radhe nuk do të bëhet pikërisht për shkak të ardhjes së Lavrovit dhe faktit se shumica e liderëve nuk duan të jenë në foto të përbashkët me zyrtarin e vendit që nisi agresionin ndaj shtetit fqinj.
Samiti i vendeve të G20-s në Bali do të jetë një nga mundësitë për liderët e vendeve më të mëdha dhe më të forta në botë për të diskutuar një sërë problemesh, duke përfshirë krizën energjetike, eksportin e grurit nga portet e Detit të Zi, luftën në Ukrainë, dhe një sërë çështjesh janë shtyrë për shkak të ngjarjeve në Evropën Lindore.
Krahas takimit të përbashkët, liderët do të zhvillojnë edhe një sërë takimesh dypalëshe dhe një nga ato që mund të jetë më interesante është ai mes presidentit kinez Xi Jinping dhe atij amerikan Joe Biden.