Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mbeti dy muaj pa terapi, pacienti me kancer e sheh alternativë azilin shëndetësor në Francë

Klinika e Onkologjisë

Klinika e Onkologjisë | Foto: KOHA

Mungesa e një medikamenti që e përdor për trajtimin e kancerit të mëlçisë, e ka lënë një 54-vjeçar pa trajtim tash e dy muaj. Ai thotë se gjatë kësaj kohe, gjendja shëndetësore i është përkeqësuar dhe se tash po shqyrton mundësinë që të largohet drejt Francës për të kërkuar azil mjekësor. Në SHSKUK nuk treguan arsyet e kësaj mungese

Një pacient 54-vjeçar, i cili vuan nga karcinoma hepatocelulare e gradës së dytë, thotë se prej dy muajsh ka mbetur pa terapi. Për këtë lloj kanceri të mëlçisë, atij i është përshkruar medikamenti Sorafenib, që është pjesë e listës së barnave esenciale. 

“Onkologu më ka thënë se terapi nuk ka për momentin. As ai nuk është në dijeni se kur do të vijë. Tha se duhet të vini çdo ditë, ose në barnatore, ose në klinikë, të kontrolloni nëse ka ardhur bari, sepse edhe nëse vjen, më tha, ndodh që menjëherë, brenda një ore apo dy orësh, Sorafenibi të zhduket. I shpërndajnë për një ditë. Tash unë prej Ferizaj nuk mundem të shkoj atje çdo ditë, të pres derisa punon klinika, a ka ardhur ilaçi apo jo”, ka thënë pacienti. 

Ai ka treguar se tashmë janë bërë dy muaj që nuk e përdor këtë terapi, dhe për pasojë, sipas tij, kanë filluar komplikimet. 

“Ka filluar të zgjerohet dhe mjekët këtu në Intensivë më thanë se e ke prej sëmundjes me metastaza në mushkëri dhe në eshtra, që është vërtetuar deri më tash. Për veshka ende nuk është vërtetuar, sepse nuk e kam bërë biopsinë”, është shprehur ai. 

KOHA ka dërguar pyetje në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës lidhur me trajtimin e 54-vjeçarit, arsyet e mungesës së terapisë, kohën prej kur ajo mungon dhe afatin kur pritet të sigurohet. Po ashtu, është pyetur nëse pacientit i është rekomanduar ndonjë terapi alternative. 

Edhe Onkologjia e pranon se “Palbociclibi” mungoi për shkak të planifikimit përgjysmë në krahasim me numrin e pacientëve Arbëri Onkologjia e pranon se “Palbociclibi” mungoi për shkak të planifikimit përgjysmë në krahasim me numrin e pacientëve

Por, në përgjigjen me shkrim, vetëm është thënë se janë proceduar fletëporositë përkatëse dhe se aktualisht janë në pritje të liferimit nga operatorët ekonomikë.

Pas kësaj përgjigjeje, KOHA ka adresuar sërish pyetje për të kuptuar se kur janë shpërndarë tabletat e fundit të këtij medikamenti, por nuk ka marrë përgjigje.

E, pacienti thotë se, gjatë kontrollit të fundit të premten, onkologu i ka rekomanduar që, deri në ardhjen e terapisë, trajtimin ta vazhdojë vetëm me disa vitamina. 

Ai thotë se po e shqyrton mundësinë për t’u larguar jashtë vendit për të marrë trajtim.

Edhe Pacientja që vdiq vazhdimisht denoncoi mungesën e barit Palbociclib – Vitia s’i tregon arsyet e mungesës Arbëri Pacientja që vdiq vazhdimisht denoncoi mungesën e barit Palbociclib – Vitia s’i tregon arsyet e mungesës

“Tash unë jam duke e shikuar alternativën që këtë javë apo javën tjetër të iki në Francë si azil mjekësor, si shumë bashkëqytetarë të mi që kanë shkuar në Francë. Atje janë trajtuar dhe tash janë shumë mirë, shëndoshë e mirë”, ka deklaruar ai.

Një numër shtetasish të Kosovës kanë emigruar në Francë për qëllime të trajtimit mjekësor. E, në Ambasadën e këtij shteti thanë se nuk e dinë numrin e pacientëve nga Kosova që kanë kërkuar azil mjekësor gjatë pesë vjetëve të fundit.