Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Deputetë të Aleancës dhe LVV-së shkëmbejnë akuza për shitjen e pronave me nga “dy euro ari”

Komisioni per buxhet

Akuzat për shitjen e pronave të Agjencisë Kosovare të Privatizimit me çmime të ulëta kanë nxitur përplasje mes deputetëve të Aleancës dhe Vetëvendosjes në Komisionin për Buxhet. Teuta Haxhiu akuzoi deputetin e LVV-së, Valon Ramadani, për negocim të drejtpërdrejtë për një pronë në Ferizaj, ndërsa Ilir Kërçeli iu kundërpërgjigj me akuza për shitjen e pronave me nga 2 euro gjatë qeverisjes së AAK-së

Shitja e pronave të Agjencisë Kosovare të Privatizimi nxiti përplasje mes deputetëve të pushtetit dhe atyre opozitarë në Komisionin parlamentar për Buxhet.

Në rend të ditës ishte paraparë prezantimi i raportit vjetor financiar të AKP-së, të cilin e propozoi kryetari i bordit të Agjencisë, Hekuran Nikqi.

Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, si çështje e ngriti shitjen e disa pronave në Ferizaj me çmim të ulët.

“Deputeti Valon Ramadani ka shkuar e ka thirrur babin e tij, ‘hajde babë se kështu po dashka’, negocim direkt, qysh doni ngjitjani emrin. I ka marrë hiç më pak se 2.524 metra në Ferizaj”, ka thënë Haxhiu.

Me të njëjtën monedhë, akuzat Haxhiut ia ktheu deputeti i Vetëvendosjes, Ilir Kërçeli.

“Gjatë qeverisjes së Aleancës është shitur për dy euro ari, 200 kontrata kanë qenë me shitje direkte. Pse s’po i tregoni popullit? Pse po mundoheni këtu me qit hi syve? S’u shitë 4 euro ari, 400 euro është shitur ari. Toka në Ferizaj, s’u shitë 2 euro ari, qysh e keni shitë ju, 10 mijë euro është shitur ari”, është shprehur Kërçeli.

E kryetari i bordit të Agjencisë, Hekuran Nikqi, tregoi se si AKP-ja shpenzoi buxhetin.

“Buxheti përfundimtar i AKP-së për vitin 2025 ishte rreth 4 milionë e 543 mijë euro, ndërsa shpenzimet e realizuara ishin rreth 4 milionë e 312 mijë euro ose përafërsisht 94.9% e buxhetit përfundimtar. Pjesa më e madhe e shpenzimeve rreth 3 milionë e 307 mijë euro ishin për paga dhe shtesa”, ka njoftuar Nikçi.

Nikqi u zgjodh kryesues dhe drejtor i bordit të AKP-së në prill të këtij viti.

Ai më 2025 ishte ndaluar nga policia nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare sa ishte pjesë e Inspektoratit Qendror të Punës, mirëpo deri tash ndaj tij nuk është ngritur aktakuzë.