Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Porosia e BE-së për Serbinë: Nuk ndryshojnë obligimet nga dialogu me Kosovën

Bashkimi Evropian

Foto: Associated Press

“Dialogu i lehtësuar nga BE-ja nuk varet nga udhëheqësit politikë individualë. Të gjitha obligimet ekzistuese mbeten valide, përfshirë Marrëveshjen e vitit 2023 për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin e implementimit (Marrëveshjen e Ohrit)”, ka thënë një zëdhënës i BE-së, tri ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve në Serbi

Bashkimi Evropian ka porositur qeverinë e ardhshme të Serbisë, që do të dalë pas zgjedhjeve, se nga ajo pritet sjellje konstruktive në dialogun për normalizimin e raporteve me Kosovën, përfshirë edhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tash.

Këtë e ka thënë një zëdhënës i BE-së, duke u shprehur se rezultati i zgjedhjeve të fundit në Serbi nuk ndryshon themelet apo obligimet nga dialogu i lehtësuar nga BE-ja.

“Dialogu i lehtësuar nga BE-ja nuk varet nga udhëheqësit politikë individualë. Të gjitha obligimet ekzistuese mbeten valide, përfshirë Marrëveshjen e vitit 2023 për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin e implementimit (Marrëveshjen e Ohrit)”, ka thënë ky zëdhënës.

Ky zëdhënës ka thënë se në këtë moment është tepër herët për të spekuluar rreth ndryshimeve të mundshme të pozicionit të Serbisë në dialog dhe implikimeve të tyre në këtë proces.

“Ne presim nga Serbia që të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive, të respektojë obligimet ekzistuese dhe të kontribuojë në procesin drejt normalizimit. BE-ja mbetet e gatshme të angazhohet me lidershipin e ri për të mbajtur momentumin e këtij procesi”, ka thënë ky zëdhënës. 

Sipas rezultateve preliminare të zgjedhjeve të mbajtura më 25 tetor, Lista Studentore i fitoi 52.54 për qind të votave, ndërsa Partia Progresive Serbe e Vuçiqit, 39,29 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës.

Fitorja e Lëvizjes Studentore i dha fund sundimit 14-vjeçar të Aleksandar Vuçiqit, i cili e pranoi humbjen qysh pas përfundimit të votimeve.

Gjatë fushatës, kandidatët e Listës Studentore u shprehën për rishqyrtimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, rikthimin e çështjes së statusit të saj në Kombet e Bashkuara dhe marrjen e vendimeve vetëm pas konsultimeve me serbët e Kosovës.

Beogradi zyrtar nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, por negociatat për normalizimin e marrëdhënieve, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, zhvillohen që nga viti 2011. Në këtë kuadër janë arritur dhjetëra marrëveshje, për të cilat shumë analistë politikë thonë se përbëjnë njohje “de facto” të pavarësisë së Kosovës.

Një nga marrëveshjet e fundit, të pranuara në nivel politik nga Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq, është Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e njohur edhe si Marrëveshja Bazë, e dakorduar më 27 shkurt 2023 në Bruksel, pas propozimit franko-gjerman. Ajo parashikon respektimin e integritetit territorial dhe zotimin e Serbisë që të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Aneksi për zbatimin e saj u dakordua më 18 mars 2023 në Ohër dhe njihet si Aneksi i Ohrit.

Kosova, nga ana tjetër, pranoi detyrimin që t’u sigurojë serbëve të Kosovës një nivel të caktuar të vetëmenaxhimit, përkatësisht ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.