“Përndjekja e mercenarëve po vazhdon”, ka thënë Leon Charles, drejtori i Policisë Kombëtare të Haitit, pas arrestimit të të dyshuarve. “Fati i tyre është përcaktuar: Ose do të vriten në luftime, ose do të arrestohen”
Veçse në telashe e kaos, Haiti është përballur të enjten me një të ardhme të paqartë, pasi që vrasja e presidentit Jovenel Moise u shoqërua me beteja të armatosura nëpër rrugë, me ç’rast policia ka vrarë të paktën shtatë të dyshuar, ka arrestuar gjashtë të tjerë dhe ka liruan tre oficerë që mbaheshin peng.
Autoritetet haitiane janë zotuar që t’i gjejnë të gjithë përgjegjësit për bastisjen e paraagut të së mërkurës në shtëpinë e Moises, që rezultoi me vdekjen e presidentit dhe plagosjen rëndë të bashkëshortes së tij, Martine. Ajo të enjten është dërguar për trajtim në Miami.
Beteja të armatosura kanë shpërthyer në vend vetëm pak orë pas vrasjes së presidentit, në një rikujtues të zymtë të fuqisë në rritje të bandave që kanë nxitur në zhvendosje më shumë se 14.700 persona vetëm gjatë muajit të shkuar. Kjo pasi që ata kanë dëmtuar dhe shkatërruar shtëpitë e tyre në luftën për territor.
“Përndjekja e mercenarëve po vazhdon”, ka thënë Leon Charles, drejtori i Policisë Kombëtare të Haitit, pas arrestimit të të dyshuarve. “Fati i tyre është përcaktuar: Ose do të vriten në luftime, ose do të arrestohen”.
Të enjten Charles tha para gazetarëve se gjashtë të dyshuar janë arrestuar dhe shtatë janë vrarë, teksa policia është në kërkim të disa të tjerëve.
Dëshmitarët kanë bërë të ditur se një turmë qytetarësh kanë gjetur dy të dyshuar tek fshiheshin në shkurre në Port-au-Prince. Disa prej tyre kanë tërhequr burrat nga kanotierat dhe pantallonat, duke i shtyrë dhe herë pas here goditur.
“Ata e vranë presidentin! Na e jepni. Ne do t’i djegim!”, raportohet të kenë bërtitur policët kur kanë mbërritur në vendin e ngjarjes.
Zyrtarët nuk kanë ofruar hollësi mbi të dyshuarit, as rreth shtetësisë së tyre dhe as për motivin. Ata kanë bërë të ditur se sulmi i dënuar si nga partitë politike në Haiti ashtu edhe nga komuniteti ndërkombëtar është kryer “nga një grup shumë mirë i trajnuar dhe i armatosur rëndë”.
Kryeministri Claude Joseph mori drejtimin e Haitit me mbështetjen e policisë dhe ushtrisë, teksa u ka kërkuar qytetarëve që t’i rihapin bizneset dhe të kthehen në vendet e tyre të punës. Gjatë së mërkurës, Joseph ka shpallur gjendje dyjavore të emergjencës pas vrasjes së Moises në rastin që ka tronditur vendin më të varfër të Hemisferës Perëndimore, të goditur nga varfëria, dhuna dhe jostabiliteti politik.
Haiti është ngërthyer në jostabilitet përherë më të madh nën Moisen, i cili ka qeverisur me dekret për më shumë se një vit dhe ishte përballur me protesta të dhunshme teksa kritikët e akuzonin se po përpiqej që të siguronte kompetenca më të mëdha, për të cilat opozita e kërkonte dorëheqjen e tij.