Vërshimet kanë tërhequr vetura rrugëve në qytetin bregdetar në Spanjë të mërkurën, ndërsa pjesë të tjera të vendit u goditën nga stuhi gjatë natës.
Reshjet e shiut kanë vërshuar qytetin Alcanar, ndërsa banorët panë sesi veturat u morën nga uji përgjatë rrugëve. Pamje nga televizioni shtetëror spanjoll treguan karrige që lundronin në shpejtësi të madhe me vërshimet.
Pjesa më e madhe e Spanjës është nën alarm për reshje të dendura. Madridi dhe zona të tjera qendrore janë përballur me reshje dhe vërshime gjatë natës të shkaktuara nga stuhi që prodhuan mbi 9,000 rrufe, sipas shërbimit meteorologjik kombëtar, raporton AP.
Nuk pati raportime për viktima. Autoritetet kanë kërkuar që njerëzit të qëndrojnë në shtëpi dhe paralajmëruan për më shumë reshje gjatë ditës që mund të kalojnë në vërshime.