Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Përmbytje në Barcelonë nga shirat e rrëmbyeshëm, një i vdekur

Barcelona

Foto: Associated Press

Të paktën një person ka mbetur i vdekur pasi verilindja e Spanjës është goditur nga reshje të dendura shiu dhe përmbytje të menjëhershme.

Përmbytjet kanë shkaktuar kaos në të gjithë rajonin.

Agjencia kombëtare meteorologjike e Spanjës, AEMET, ka lëshuar të mërkurën paralajmërime për reshje të dendura në rajonet lindore, përfshirë një alarm të kuq për bregdetin e Barcelonës.

Ekipet e shpëtimit gjetën të enjten trupin e një burri në Olivella, rreth 40 kilometra në perëndim të Barcelonës, pasi vetura e tij u mor nga rrjedha e ujit, kanë thënë autoritetet.

Reshjet e dendura kanë shkaktuar ndërprerje të udhëtimeve në Katalonjë dhe Valencia, me anulime fluturimesh dhe rrugë të mbuluara nga uji. Autoritetet kanë këshilluar qytetarët të shmangin udhëtimet e panevojshme, ndërsa kryeministri Pedro Sanchez ka paralajmëruar për “situata shumë të komplikuara”.

Shërbimet e emergjencës në Katalonjë thanë se kishin marrë më shumë se 850 telefonata lidhur me reshjet e dendura dhe kishin regjistruar mbi 500 incidente.

Zjarrfikësit katalanas njoftuan të enjten në X se kishin gjetur “trupin e pajetë të një burri” në Olivella, duke korrigjuar raportimet e mëparshme se personi i zhdukur ishte grua.

Videot e shpërndara në rrjetet sociale tregonin vetura pjesërisht të zhytura në ujë dhe ekipet e shpëtimit që përpiqeshin të arrinin te një automjet i bllokuar në një nënkalim të përmbytur.

Në Barcelonë, disa stacione të metrosë janë mbyllur dhe autobusët janë devijuar, ndërsa trafiku i trenave rajonalë është ndërprerë dhe fluturimet në aeroportin El Prat janë vonuar ose janë anuluar.

Në Valencian fqinje, në disa komuna kanë rënë më shumë se 70 milimetra shi në vetëm gjysmë ore, sipas AVAMET.

“Rrallëherë kemi parë sasi të tilla reshjesh brenda 30 minutash”, ka thënë shoqata meteorologjike në X.

Shërbimet e emergjencës kanë raportuar 478 incidente në provincën e Valencias, kryesisht të lidhura me dëmtime të pronës, rrjedhje uji dhe ndërprerje të trafikut.