Botë

Ukrainës i premtohen 10 miliardë euro për rindërtim

Volodymyr Zelensky

Foto: Associated Press

Pjesëmarrësit në një konferencë në Romë mbi rimëkëmbjen ekonomike të Ukrainës kanë premtuar mbi 10 miliardë euro për të ndihmuar vendin e shkatërruar nga lufta, ka deklaruar të enjten kryeministrja italiane Giorgia Meloni.

Konferenca, në të cilën morën pjesë udhëheqës politikë, përfshirë presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, po zhvillohet në një sfond sulmesh të mëtejshme intensive me dronë dhe raketa ndaj Kievit, raporton Reuters.

Duke folur në hapje të konferencës, Zelensky i përshkroi sulmet si "terrorizëm të pastër".
Meloni dhe kancelari gjerman, Friedrich Merz përmendën rimëkëmbjen e vendeve të tyre nga rrënojat e Luftës së Dytë Botërore si një shembull të asaj që mund të arrijë Ukraina.

"Mendoj se duhet të jemi krenarë për rezultatin që kemi arritur së bashku sot - kombet, organizatat ndërkombëtare, institucionet financiare, autoritetet lokale, sektori i biznesit dhe shoqëria civile", ka thënë Meloni në fjalimin e saj hapës në konferencë.

"Së bashku, në konferencën e sotme, kemi marrë angazhime që arrijnë në total mbi 10 miliardë euro", ka shtuar ajo.

Ndërkohë Zelensky, ka thënë se Ukrainës i duhet një “një plan i llojit Marshall” për ta rindërtuar vendin e shkatërruar nga lufta që ka hyrë tashmë në vitin e saj të katërt, ka raportuar The Guardian.

Ai iu ka thënë liderëve evropianë se plani s’ka të bëjë vetëm me bamirësi, por edhe me investime afatgjatë në disa fusha të ndryshme.

“Rindërtimi i Ukrainës s’ka të bëjë vetëm me vendin tonë. Ka të bëjë gjithashtu edhe me vendet e juaja, kompanitë e juaja, teknologjinë, mënyra se si ne e rindërtojmë vendin tonë mund të modernizojë infrastrukturën dhe industritë e juaja po ashtu”, ka deklaruar presidenti ukrainas.

Sipas tij, Evropa duhet “të pajtohet që asetet e ngrira ruse të shkojnë në drejtim të ringjalljes së Ukrainës”.

“Jo vetëm të ardhurat nga këto asete, por asetet në vetvete duhet të shfrytëzohen edhe më shumë sesa që po përdoren tani në mënyrë që të shpëtojnë jetë”, ka shtuar Zelensky.

Konferenca që Italia po organizon është ngjarja e katërt e tillë që kur Rusia pushtoi fqinjin e saj në shkurt të vitit 2022 dhe synon kryesisht mobilizimin e mbështetjes ndërkombëtare për Ukrainën.

Vetëm Komisioni Evropian përcaktoi 2.3 miliardë euro mbështetje për Ukrainën për ta ndihmuar atë të rindërtohet.