Një total prej 218 anijesh janë “bllokuar efektivisht” për shkak të vendimit të Rusisë për të pezulluar pjesëmarrjen e saj në marrëveshje për eksportin e grurit, tha të dielën ministria e Infrastrukturës e Ukrainës.
Rusia tha të shtunën se pezulloi pjesëmarrjen në marrëveshjen e ndërmjetësuar nga OKB-ja për të eksportuar prodhime bujqësore nga portet ukrainase pas sulmeve ndaj flotës së saj në Krimenë e aneksuar nga Rusia.
Duke qenë se Ukraina nuk kishte leje nga Qendra e Përbashkët e Koordinimit të skemës për të kaluar përmes korridorit të sigurt, “218 anije janë bllokuar në pozicionet e tyre aktuale”, tha ministria në një postim në Telegram.
Ministria tha se 95 anije të ngarkuara që ishin larguar nga portet e Ukrainës ishin në pritje të inspektimit për t’i dërguar te konsumatori përfundimtar dhe 101 anije të zbrazëta prisnin inspektimin në hyrje të porteve të Ukrainës.
Në njoftim u tha se 22 anije me mallra bujqësore po prisnin të largoheshin nga portet e Ukrainës.
Ukraina ka thënë se marrëveshja, e cila zhbllokoi tri porte të Detit të Zi, e ka lejuar atë të eksportojë rreth 9 milionë tonë mallra bujqësore deri më tani.