Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka sulmuar të enjten panelin e përbërë nga tre gjyqtarët që vendosën për pezullim të tarifave gjithëpërfshirëse, teksa i ka akuzuar ata për urrejtje personale ndaj tij, ka raportuar The Guardian.
“Prej nga vijnë këta tre gjyqtarë? Si është e mundur që ata t’u kenë shkaktuar një dëm të këtillë Shteteve të Bashkuara të Amerikës? A është kjo urrejtje e pastër ndaj TRUMP? Çfarë arsye tjetër mund të jetë?”, ka shkruar presidenti amerikan në rrjetin social “Truth Social”, pa e përmendur se njërin nga gjyqtarët e apostrofuar e kishte zgjedhur vetë në vitin 2018.
Sipas presidentit amerikan, vendimi i Gjykatës së Tregtisë Ndërkombëtare me seli në New York, ka qenë i gabuar dhe ndër të tjera i motivuar politikisht.
Trump ka theksuar më tutje se falë politikës së tij tarifore, Shtetet e Bashkuara kanë përfituar shuma marramendëse nga partnerët tregtarë.
“Është vetëm falë përdorimit tim të suksesshëm të tarifave që shumë triliona dollarë kanë filluar tashmë të qarkullojnë në SHBA nga vende të tjera, para të cilat, pa këto tarifa, nuk do të mund t’i merrnim”, ka shtuar Trump.
Të enjten, një gjykatë e apelit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosi që tarifat e Trumpit të mbesin në fuqi, një ditë pasi Gjykata e Tregtisë Ndërkombëtare vendosi t’i pezullonte ato.
Vendimi i Apelit është i përkohshëm teksa gjykata pret të mbajë një seancë të plotë dëgjimore për çështjen.
Nëse administrata e humb apelin, atëherë pritet që ta dërgojë rastin në Gjykatën Supreme.
Muajin e kaluar, presidenti amerikan kishte vendosur tarifa universale prej 10% për shumicën e vendeve në botë në një përpjekje për të tkurrur deficitet e mëdha tregtare të Amerikës.