Presidenti amerikan, Donald Trump, ka përsëritur në fjalimin e tij para OKB-së të martën, se u ka dhënë fund shtatë luftërave gjatë mandatit të tij të dytë.
Ai ka shtuar se njerëzit i kishin thënë se këto konflikte ishin "të pafundme".
Ai ka rënditur konfliktet midis: Kamboxhias dhe Tajlandës, Kosovës dhe Serbisë, Pakistanit dhe Indisë, Izraelit dhe Iranit, Egjiptit dhe Etiopisë, Armenisë dhe Azerbajxhanit, dhe "luftën e egër të dhunshme" midis Republikës Demokratike të Kongos dhe Ruandës.
"Asnjë president tjetër nuk ka bërë kurrë diçka të ngjashme me këtë", ka thënë Trumpi.
Ai ka shtuar se OKB-ja "as nuk u përpoq të ndihmonte" në asnjërën prej tyre.
Trumpi ka thënë se ka qenë shumë i zënë këtë mandat duke u përpjekur të shpëtojë miliona jetë.
Ai madje ka thënë se të gjithë ia përmendin se e meriton çmimin "Nobel".
“Të gjithë thonë se unë duhet të marr çmimin Nobel për Paqen për secilën prej këtyre arritjeve. Por për mua, çmimi i vërtetë do të jenë bijtë dhe bijat që jetojnë duke u rritur me nënat dhe baballarët, sepse miliona njerëz nuk po vriten më në luftëra të pafundme dhe të lavdishme. Ajo që më intereson nuk është fitimi i çmimeve, por shpëtimi i jetëve”, është shprehur Trumpi.
Trumpi ka folur edhe për ekonominë amerikane gjatë mandatit të tij të dytë, duke thënë se ndodhet në një gjendje më të mirë se asnjëherë më parë.
Ai e ka quajtur “Epoka e Artë e Amerikës” periudhën e administrimit të tij të dytë.
